Pendarovski-Mishell: Pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski dhe kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishell në takimin e sotëm në Shkup u pajtuan se pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave inkuadruese, me të cilën faktikisht do të zhbllokohet integrimi i vendit tonë në BE. Përveç kësaj, hapja e fazës së parë do të paraqesë një nxitje të mëtejshme për avancimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, por do të ketë ndikim pozitiv edhe mbi gjendjet e përgjithshme të Ballkanit Perëndimor, njoftoi Kabineti i presidentit.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në kontekst të brengës e cila ekziston te qytetarët në lidhje me çështjet e identitetit, për të cilën presidenti Pendarovski ka theksuar se gjuha dhe identiteti maqedonas duhet të respektohen dhe garantohen nga ana e BE-së”, citohet në kumtesë.

Në takim është biseduar për ngjarjet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, për sfidat në lidhje me perspektivat evropiane të vendit dhe për propozimin e BE-së për fillimin e negociatave inkuadruese me Bashkimin Evropian.

Pendarovski e përshëndeti vizitën e Mishellit, duke e cilësuar si tregues të përkushtimit të Bashkimit Evropian dhe e informoi për rrjedhën e procesit të gjerë konsultativ i cili është duke u zhvilluar në lidhje me propozimin francez, si dhe për atmosferën në shoqërinë tonë në lidhje me atë çështje.

Kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishell sot qëndron për vizitë njëditëshe në Shkup, ku do të ketë takime të veçanta me kreun e shtetit.