Dy anije të tjera me drithëra nisen nga portet e Ukrainës

Shpërndaje

Dy anije të tjera që transportojnë drithë u larguan nga Ukraina sot sipas marrëveshjes historike të nënshkruar së fundmi në Istanbul, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiye-s, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ministrisë, dërgesat e drithit nga portet e Ukrainës vazhdojnë si pjesë e punës së Qendrës së Përbashkët të Koordinimit.

Anija SACURA, që transporton 11.000 tonë sojë për në Itali, u nis nga Yuzhne dhe një anije tjetër, ARIZONA, që transporton 48.458 tonë misër për në Iskenderun të Türkiye-s, u nis nga Chornomorsk.

Gjithashtu, katër anije të tjera që u nisën nga portet e Ukrainës të dielën do të ankorohen në Istanbul sot në mbrëmje dhe do t’i nënshtrohen inspektimit të martën.

Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase për eksportin e drithit, i cili kishte ngecur për muaj të tërë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, Qendra e Përbashkët e Koordinimit në Istanbul nisi punën zyrtarisht më 27 korrik, e përbërë nga përfaqësues nga të tre vendet dhe OKB-ja për të mundësuar transportin e sigurt të produkteve ushqimore dhe plehrave nga anijet tregtare.