Kurti takohet me Haradinajn e Abdixhikun në orën 15:00

Shpërndaje

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe dy liderëve të opozitës, do të mbahet të martën në orën 15:00, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Kurti i ftoi krerët opozitarë në takim për ta diskutuar marrëveshjen me Serbinë për dokumentet dhe procesin e dialogut. Shkuarjen në takim, ia kanë konfirmuar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi të hënën nëpërmjet një komunikate se nuk e sheh të arsyeshme të takohet me Kurtin.

Sipas tij, me Kurtin do të takohet vetëm “kur procesi i dialogut të ketë avancim dhe diskutim konkret”.

Krasniqi u shpreh se aktualisht dialogu me Serbinë është shndërruar në dialog teknik.

“Në procesin e dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, tha Krasniqi.