“Shpimi në Mesdhe është juridiksion i Turqisë, për këtë nuk kemi nevojë për lejen e askujt”

Shpërndaje

Presidenti i Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se kërkimet dhe shpimet që bëhen në Mesdhe janë në juridiksionin e Türkiye-s dhe se për këtë nuk kanë nevojë për lejen e askujt, raporton Anadolu Agency (AA).

Anija turke e shpimit “Abdulhamid Han” ka lundruar sot nga porti Tasucu në qytetin e Mersinit drejt pusit “Yorukler-1” në Detin Mesdhe, ku do të nisë kërkimet hidrokarbure në ditët në vijim.

Duke iu drejtuar ceremonisë me rastin e nisjes së anijes, Erdoğan tha se “anija e shpimit ‘Abdulhamid Han’ është një simbol i vizionit të ri të Türkiye-s në fushën e energjisë”.

“Türkiye me anijet ‘Fatih’, ‘Kanuni’, ‘Yavuz’ dhe ‘Abdulhamid Han’ ka një flotë të rrallë shpimi në botë. Tani në këtë zonë kemi katër anijet tona të shpimit dhe dy anije për kërkime sizmike”, tha Erdoğan.

Ai shpjegoi se anija e shpimit “Abdulhamid Han” po dërgohet në pusin “Yorukler-1”, 55 kilometra nga Gazi-Pasha (bregu i Mersinit).

Erdoğan theksoi se pusi “Yorukler-1” do të jetë hapi i parë i “planit tonë të gjerë të biznesit në Mesdheun Lindor”.

“Operacionet tona të kërkimit dhe shpimit në Mesdhe janë brenda juridiksionit tonë. Ne nuk kemi nevojë për lejen e askujt për këtë”, shtoi ai.

Ai po ashtu iu referua kërkimeve në Detin e Zi.

“Në fazën e parë të nxjerrjes së gazit nga Deti i Zi, ne planifikojmë të përfundojmë operacionet në dhjetë puse dhe ta bëjmë atë gaz të disponueshëm për popullin tonë deri në vitin 2023”, tha Erdoğan.

Në ceremoninë në portin Tasucu në Mersin morën pjesë nënpresidenti Fuat Oktay, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, personalitete të shumta, si dhe të ftuar të tjerë.

Republika e Türkiye-s ka ndërmarrë aktivitete intensive shpimi në ujërat e saj gjatë katër viteve të fundit.

Anija “Abdulhamid Han”, e quajtur sipas një nga sulltanët osmanë, do t’i bashkohet flotës aktuale të Türkiye-s prej tre anijeve për kërkime hidrokarbure.

Kjo anije impozante është 238 metra e gjatë dhe 42 metra e gjerë, ndërsa peshon 68 mijë tonë. Thellësia maksimale e shpimit të saj është 12.200 metra. Kulla e anijes ka një lartësi prej 104 metrash, ndërsa kapaciteti i anijes është për 200 anëtarë ekuipazhi.