Erdogan: Kemi marrë vendim për udhëtim mes BeH-së dhe Türkiye-s me letërnjoftime

Shpërndaje

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se si Türkiye vazhdojnë pa ngadalësuar ndihmën e tyre për zhvillimin e Bosnjë e Hercegovinës (BeH), tha se “Një hap tjetër i ri është se kemi marrë vendim për udhëtim mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Türkiye-s me letërnjoftime”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në BeH, pas takimeve kokë me kokë dhe mes delegacioneve, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviq, dhe anëtarët e Presidencës Milorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Duke theksuar se prania e tij në BeH në përvjetorin e 30-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike i ka shtuar një karakter historik vizitës të tij, Erdoğan vuri në dukje deklaratën e përbashkët të ministrive të Jashtëm të të dyja vendeve, ku theksohet se “Marrëdhëniet Türkiye-Bosnjë dhe Hercegovinë kanë një cilësi të jashtëzakonshme”.

Ai bëri të ditur se në takimet që ka zhvilluar me homologët e tij kanë trajtuar hapat që mund t’i hedhin për të çuar më tej marrëdhëniet. Ai rikujtoi se më 2 tetor në BeH do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.

“Theksuam edhe një herë rëndësinë që Türkiye i kushton qetësisë, prosperitetit dhe stabilitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe mbështetjen e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, tha Erdoğan.

Lidhur me një pyetje rreth ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor në BeH, presidenti turk tha “Vendimin për Ligjin Zgjedhor duhet ta japin të 3 liderët. Ndërhyrja e përfaqësuesit të lartë është në kundërshtim me demokracinë”.

Udhëtim me letërnjoftime mes Türkiye-s dhe BeH-së

Mes tjerash, presidenti Erdoğan foli edhe rreth tregtisë dypalëshe, i cili vitin e kaluar ka arritur në 876 milionë dollarë me një rritje prej 35 për qind. Ai tha se në bisedimet që kanë zhvilluar kanë trajtuar se çfarë mund të bëjnë për të rritur investimet e tyre.

“I kushtojmë rëndësi të madhe Projektit të Autostradës Sarajevë-Beograd, gurthemelin e të cilit hodhëm në vitin 2019”, tha ai, duke shtuar: “Unë e konsideroj këtë projekt si një projekt paqeje që do të lidhë jo vetëm vendet e rajonit, por edhe popujt e rajonit”.

Ai tha se me vizitën e tyre i kanë dhënë një shtysë të re këtij projekti strategjik.

“Një hap tjetër i ri është se kemi marrë vendim për udhëtim mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Türkiye-s me letërnjoftime. Ministrat tanë të Jashtëm, me shpejtësi do të përfundojnë procedurën. Tutje, nga Türkiye në Bosnjë e Hercegovinë, nga Bosnjë e Hercegovina në Türkiye do të mund të udhëtohet me letërnjoftime”, theksoi presidenti turk, duke theksuar se si Türkiye vazhdojnë pa ngadalësuar ndihmën e tyre për zhvillimin e Bosnjë e Hercegovinës.

Ai tha se nesër gjatë vizitës së tij në Serbi do të nënshkruajnë një gjë të tillë, duke rikujtuar se edhe me Bullgarinë kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë.

Gjithashtu, Erdoğan njoftoi edhe rreth projekteve të TIKA-s në BeH. Ai tha se që nga vitit 1995, TIKA në vend ka realizuar rreth 1.000 projekte.

Presidenti turk gjithashtu komentoi zhvillimet e fundit me Greqinë, pas një pyetjeje.

“I kanë ishujt, në këto ishujt ka baza, nëse vazhdojnë ndaj nesh kërcënimet e paligjshme, edhe durimit i vjen fundi”, tha Erdoğan, duke shtuar: “Këto që i tregova nuk janë ëndërr. Nëse themi mund të vijmë papritmas një natë, kur do t’i vijë koha, mund të vijmë papritmas një natë”.