Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë nënshkruan Memorandum bashkëpunimi

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë nënshkruan Memorandum bashkëpunimi

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi me bashkëpunëtorët e tij, sot qëndruan për vizitë pune në Universitetin e Tetovës. Ata u pritën nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtues të tjerë të Universitetit. Në këtë takim Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nënshkruan Memorandum bashkëpunimi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi tha se ndjehet i kënaqur që është ftuar nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti për të lidhur një marrëveshje të përbashkët. “Sigurisht, ky është një hap për vazhdimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve tona: Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Tetovës. Një bashkëpunim i cili daton që në fillimet, hapat e para të ngritjes dhe përpjekjen për ngritjen e këtij Universiteti. Ne e kemi ndjekur dhe e ndjekim me shumë kënaqësi forcimin e këtij Universiteti, rritjen e standardeve të tija në formimin e specialistëve të lartë dhe sigurisht që e ndjejmë të domosdoshme që të konkretizojmë dhe zgjerojmë gjithnjë më shumë bashkëpunimin me të. Marrëveshja e sotme, sigurisht është një marrëveshje që parashikon bashkëpunimin në të tëra fushat, pasi Universiteti mbulon pothuajse të gjitha fushat e dijes, ashtu si dhe Akademia për nga natyra e saj e ka misionin që të promovojë, zhvillojë, të nxis kërkimin shkencor në fushat kryesore të dijes. Arsimi edhe shkenca sigurisht ecin së bashku, pra ndihmojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën dhe në këtë aspekt ka mundësi të shumta për të bashkëpunuar dhe pas arritjes së marrëveshjes do të shkojmë drejt konkretizimit të këtij bashkëpunimi duke ftuar edhe përfaqësues të Universitetit, nga specialistët më në zë, nga elita e profesoratit të Universitetit, të jenë edhe pjesë të strukturave që funksionojnë pranë Akademisë së Shkencave në hapësirat që lejon edhe ligji i ri për Akademinë e Shkencave dhe duke vazhduar më tej edhe me organizim të grupeve të përbashkëta dhe veçanërisht pastaj, meqë jemi në fazën e hartimit të tre projekteve të mëdha të albanologjisë, këtu patjetër që kërkojmë bashkëpunim më konkret me përfaqësues të Universitetit të Tetovës, me specialistë të historisë, të albanologjisë, të gjuhës apo edhe në fushat e tjera për sa i takon enciklopedisë shqiptare. Edhe njëherë shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes e cila sigurisht është vetëm një gur në gjithë këtë bashkëpunim historik që ka midis dy institucioneve”, u shpreh Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi.

Ndërkaq, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti e falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, konkretisht kryetarin, Prof. Dr. Skënder Gjinushin dhe stafin e tij, që sot e vizituan Universitetin e Tetovës dhe arritën një marrëveshje bashkëpunimi. “Marrëveshja në vete ngërthen bashkëpunimin arsimor dhe shkencor, në mbledhjen e forcave të ekspertëve apo shkencëtarëve të trevave tona. Më herët Akademik Skënder Gjinushi theksoi se, ne si trup hulumtues jemi i vogël dhe jemi të obliguar që patjetër të bashkëpunojmë ndërmjet veti që të arrijmë në hulumtime shumë më cilësore në vend dhe arenën ndërkombëtare. Universiteti i Tetovës është falënderues Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e mëhershëm që kanë pasur dhe stafit akademik që e ka vizituar dhe ligjëruar në Universitetin e Tetovës. Bashkëpunimi i Akademisë me Universitetin e Tetovës është një ide shumë e shkëlqyer, e profesor Skënder Gjinushit. Në pranverë e kishim edhe panairin e hapur të botimeve më të reja në trevat shqiptare. E përgëzoj për atë aktivitet të shkëlqyer që e bëri. Besoj se edhe vitin e ardhshëm Akademik Skënder Gjinushi do ta vazhdoni atë traditë të panairit, kështu që Universiteti ynë pret ndihmesën më të madhe nga Akademia, edhe ne me forcat tona, me kapacitetet intelektuale dhe hulumtuese që i kemi do të jemi në shërbim të Akademisë së Shkencave”, përfundoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Bashkëpunimet me institucione të këtilla janë gjithmonë të frytshme për Universitetin tonë, pasi ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit, zhvillimin e hulumtimeve dhe kërkimit shkencor si dhe mundësojnë shkëmbimin e përvoja me specialistë dhe profesionistë të fushave përkatëse.

***********
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe Rektori i Universitetit të Tetovës prof. dr. Vullnet Ameti nënshkruan sot marrëveshjen në kuadër të bashkëpunimit midis dy institucioneve.

Dy nënshkruesit vlerësuan në krye traditën e bashkëpunimit që prej fillimeve të UT, kur ai ishte ende pa status ligjor dhe profesorati i instituteve të rrjetit të ASHSH dhe i Universitetit të Tiranës luajti rol themelor jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në konceptimin e programeve, lëndëve dhe specialiteteve.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se me miratimin e ligjit të ri për Akademinë e Shkencave janë krijuar hapësira të mëdha juridike për pjesëmarrjen e studiuesve të suksesshëm shqiptarë kudo që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në struktura të ngritura pranë Akademisë, si komisionet e përhershme dhe njësitë e qendrat kërkimore-studimore. Statusi i bashkëpunëtorit lejon që përfaqësues të profesoratit të UT të jenë pjesë e këtyre strukturave të përbashkëta.

Në vijim ai paraqiti rëndësinë e tre projekteve të mëdha shkencore kombëtare: “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, “Historia e shqiptarëve” dhe “Enciklopedia shqiptare”, për realizimin e të cilëve është e domosdoshme përfaqësimi dhe kontributi i studiuesve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

I njoftuar për një paraprojekt të historianëve shqiptarë në MV për një histori të shqiptarëve që jetojnë atje, kryetari Gjinushi propozoi që të vendoset një bashkëpunim i drejtpërdrejtë me realizuesit e projektit akademik “Historia e shqiptarëve”, sepse kjo histori, sa u takon çështjeve të tilla si etnogjeneza, vendi dhe koha e formimit, vazhdimësia historike, etj. është e njëjta, kurse ngjarjet dhe zhvillimet lokale plotësojnë këtë histori, prandaj marrëveshja mund të shërbejë që Akademia të ofrojë ndihmë shkencore.

Do të bashkëpunohet edhe për shkencat bashkëkohore, si nanoteknologjia e bioshkenca, për të cilat Akademia e Shkencave pretendon të ketë edhe një rol rajonal.

Si më poshtë:

******

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit të Tetovës

Neni 1

Përcaktimi i Palëve
Palët në këtë Marrëveshje janë:
1. Akademia e Shkencave e Shqipërisë (më tej: ASHSH), me qendër në Tiranë, sheshi “Fan Noli”, e përfaqësuar nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar;
2. Universiteti i Tetovës (më tej: UT), me adresë: rr. Rruga e Ilindenit, pa nr.
1200 Tetovë, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përfaqësuar nga prof. dr. Vullnet Ameti, Rektor;

Neni 2

Qëllimi
Marrëveshja ka për qëllim rregullimin e bashkëpunimit ndërinstitucional midis Palëve, si dhe midis strukturave përbërëse të tyre; përcaktimin e prioriteteve themelore të bashkëpunimit dhe mënyrën e zbatimit të tyre, mbështetur në legjislacionin në fuqi e në parime të gjithëpranuara dhe në interesa të përbashkëta.

Neni 3

Parime bazë
Parim themelor rregullues për bashkëpunimin e Palëve është liria akademike dhe autonomia universitare. Ato bashkëpunojnë duke respektuar njëra-tjetrën në vetëveprimin e tyre të rregulluar me ligje dhe me akte nënligjore, duke ruajtur dhe zhvilluar traditat më të suksesshme, përmes nismash, projektesh dhe veprimtarish të përbashkëta akademike e kërkimore-shkencore.
Në veprimtaritë e përbashkëta dhe jashtë tyre, Palët pranojnë dhe respektojnë “Kodin evropian të sjelljes për integritet në kërkimin shkencor”. Ato mbajnë qëndrim kritik dhe të papajtueshëm ndaj të gjitha formave të plagjiaturës dhe pseudoshkencës.

Neni 4

Drejtimet kryesore të bashkëpunimit
Bashkëpunimi midis Palëve shtrihet në gjithë fushat e dijes, me përparësi shkencat me më shumë interes të përbashkët, si gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia, antropologjia, shkencat sociale, shkencat juridike/ekonomike, fushat artistike, trashëgimia kulturore, shkencat natyrore, shkencat inxhinierike, shkencat mjekësore.
Palët bashkëpunojnë gjithashtu në disiplinat që lidhen me çështje me rëndësi jetësore e të ngutshme, si: bioteknologji, nanoteknologji, qëndrueshmëri mjedisore e energjetike; menaxhim i fatkeqësive, pandemive e krizave sociale, inteligjencë artificiale etj.
Palët bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj.
Palët bashkëpunojnë për kryerjen e studimeve të përbashkëta.
Palët bashkëpunojnë për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe evropiane.
Palët bashkëpunojnë për nxitjen dhe promovimin e studiuesve të rinj.
Palët bashkëpunojnë për hartimin e strategjive të zhvillimit dhe të akteve normative në zbatim të tyre.

Neni 5

Bashkëpunime të veçanta
Përfaqësues të trupës të UT-së, bazuar në kërkesat nga ASHSH, përfshihen si bashkëpunëtorë të jashtëm sipas fushave përkatëse në komisionet e përhershme shkencore që funksionojnë pranë saj.
ASHSH nxit përfshirjen e ekspertëve të UT-së në njësitë e reja të kërkimit shkencor ngritur pranë saj. UT rekomandon e propozon përfshirjen e ekspertëve më cilësorë, si dhe inkurajon ofrimin e kontributit nga fushë-veprimtaria e tyre.
ASHSH fton përfaqësues të UT-së të marrin pjesë si anëtarë jurie, vlerësues të jashtëm, recensues dhe oponentë në organizimin dhe zhvillimin e konkurseve shkencore për çmimet kombëtare vjetore të shpallura prej saj.
ASHSH dhe UT ftojnë ndërsjelltas përfaqësues të tyre të marrin pjesë me statusin e të ftuarit në rastet e trajtimit dhe hartimit të dokumenteve strategjike me karakter akademik në fushat e përbashkëta të kërkimeve.
ASHSH dhe UT ofrohen për bashkëpunim për hartimin dhe drejtimin e programeve të veçanta të studimeve universitare për shkallët “master” e “doktoratë”, si dhe për implementimin e aktiviteteve shkencore brenda tyre.
ASHSH mundëson zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve të UT pranë saj dhe njësive kërkimore të saj.

Neni 6

Shkëmbimi i botimeve dhe i informacionit
Palët i sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbimin e ndërsjellë dhe të pakushtëzuar të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve dhe monografive. ASHSH u dhuron periodikisht koleksione të botimeve të saj bibliotekave të UT.
Palët shkëmbejnë ekspertiza dhe mbikëqyrje të përbashkëta të veprimtarisë shkencore në ekspedita dhe në kërkime.
Palët informojnë rregullisht njëra-tjetrën për marrëveshjet dy- ose shumëpalëshe me interes të ndërsjellë.

Neni 7

Zbatimi dhe kohëzgjatja
Kjo Marrëveshje ka fuqi veprimi me kohë të papërcaktuar.
Palët takohen një herë në vit për të vlerësuar ecurinë e Marrëveshjes. Ndërprerja e saj pranohet prej Palëve në rastet kur:
– Ndryshon statusi ligjor i institucioneve dhe ky ndryshim prek funksionet themelore të tyre, me efekt në Palën tjetër;
– Njëra nga Palët shpreh me shkrim e në mënyrë të arsyetuar shqetësimin për cenimin e interesave bazë të saj në procesin e plotësimit të kushteve të kësaj Marrëveshjeje.

Neni 8

Protokollet e bashkëpunimit
Me vullnetin e Palëve kësaj Marrëveshjeje i bashkëlidhen protokolle bashkëpunimi me afate realizimi që përcaktohen me diskutim mes tyre. Protokolle mund të nënshkruhen dhe për një veprimtari të vetme.

Neni 9

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Kjo Marrëveshje është çështje dypalëshe. Për paqartësitë dhe ankesat e mundshme Palët nuk kërkojnë apelim në ndonjë instancë tjetër. Mosmarrëveshjet midis Palëve zgjidhen me bisedime. Në rast të mosarritjes së dakordësisë me bisedime për një periudhë dyvjeçare për çështje të diskutueshme, kjo Marrëveshje e humbet fuqinë.

Neni 10

Të fundme
Kjo Marrëveshje nënshkruhet në dy kopje, të dyja në gjuhën shqipe, një për secilën Palë, me vlerë të barabartë.
www.akad.gov.al