Kryetarja e Dhomave të Specializuara vjen në Kosovë, takohet me Ministren Haxhiu

Shpërndaje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim, kryetaren e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova.

Përgjatë këtij takimi theksohet të jetë diskutuar për punën e Dhomave të Specializuara, përgjegjësit e saj, të drejtat e palëve në procedurë, rolin e Avokatit të Popullit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Ndryshe Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, ka anuluar vizitën e paralajmëruar në Gjilan për të mërkurën, pas protestave të paralajmëruara nga Partia Socialdemokrate.

Trendafilova, dje në një intervistë për mediat serbe ka folur për fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ajo ka thënë se shpreson që gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve të fillojë së shpejti dhe theksoi se bëhet fjalë për një çështje të gjerë për të cilën gjyqtarët po punojnë shumë intensivisht.

“Ky është një rast mjaft voluminoz, sepse janë katër të akuzuar – Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Aty janë mbi një milion faqe të materialit me dëshmi. Gjyqtarët e procedurës paraprake po punojnë në mënyrë intensive dhe do të shohim – shpresojmë se kjo do të ndodhë shpejt”, ka thënë Trendafilova në një intervistë për televizionin serb.