“Agjenda e qelbur” e BDI-së, Komuna e Bogovinës krijon deponi ilegale

Shpërndaje

Jemi këtu pranë një deponie gjigande dhe ilegale, por e ngritur nga udhëheqësia aktuale e Komunës së Bogovinës. Kjo deponi është dëshmia më e mirë se në çfarë gjendje ka rënë përsëri komuna jonë, menjëherë pasi BDI riktheu sundimin. Agjenda e qelbur e BDI-së, si në shumë vendbanime të tjera, po instalohet edhe në Bogovinë. Për një vit, BDI dhe kryetari i Komunës nga radhët e kësaj partie, arriti të shkatërrojë çdo të arritur nga Aleanca për Shqiptarët gjatë katër viteve të kaluara dhe përveç që ndaloi sukseset, filloi edhe regresi dhe sot komuna jonë po merr pamjen tipike të një komune të BDI-së. Kujtojmë se banorët dhe ne si opozitë kemi reaguar edhe zyrtarisht për këtë dhe shumë probleme të tjera, por si zakonisht nga udhëheqësia komunale banorët kanë marrë vetëm mashtrime, zvarritje dhe probleme të reja.

Ngjashëm si udhëheqësia komunale edhe ministri i mjedisit jetësor, i cili vjen nga po e njëjta komunë, ka anashkaluar Bogovinën dhe fshatrat e tjera, ka lejuar deponitë ilegale si dhe ka mashtruar qytetarët. Ministri Nuredini ditë më parë u lavdërua se angazhohet për ambientin, duke mbuluar me dhe disa grumbuj mbeturinash në një fshat tjetër dhe jo duke i transportuar në vendin adekuat. Ditëve të fundit po i gënjejnë qytetarët edhe me arsyetime se në Rusino nuk po i lejon Komuna e Gostivarit. Kjo është një gënjeshtër e kulluar dhe flet për hipokrizinë e llojit të BDI-së.

Duam të kujtojmë se Rusino është deponi rajonale e përbashkët për të gjitha komunat dhe me menaxhment të vetë, ku komunat e Pollogut kanë të drejtë të barabartë të dërgojnë mbeturinat dhe aty duhet të paguajnë. E këtu qëndron ndoshta arsyeja e vërtetë, paaftësinë financiare të udhëheqësisë së Komunës së Bogovinës sot e paguajnë banorët me shëndetin e tyre.

Safet Miftari, ASH – Dega Bogovinë