Bekteshi: Do të sigurojmë dyfish çmim më të lirë të energjisë elektrike për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë

Shpërndaje

Kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë dhe janë të regjistruara me kodet e aktivitetit 10.41, 10.51, 10.61, 10.71 ku përfshihen prodhuesit e vajit të gatimit, bukës, miellit, qumështit dhe produkteve të qumështit si dhe prodhuesit e vezëve do të kenë çmim fiks të energjisë elektrike. Ky çmim i energjisë elektrike që do të sigurohet nga Qeveria do të jetë më pak se 100 euro për megavat orë, që është dy herë më i ulët se çmimi në një treg të rregulluar, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas takimit të sotëm me përfaqësues të industrisë ushqimore.

Siç tha ministri, kjo është një nga masat e premtuara nga Qeveria për mbështetjen e industrisë ushqimore, e cila zbatohet nga Ministria e Ekonomisë.

Punojmë së bashku me prodhuesit e produkteve ushqimore në krijimin e masave për të kontribuar së bashku në zbutjen e krizës, qoftë ekonomike, financiare apo energjetike. Siç kemi paralajmëruar edhe më herët, por edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ne si Ministri e Ekonomisë tashmë i kemi përgatitur të gjitha masat për t’iu dalur në ndihmë kompanive që bëjnë prodhimin e produkteve ushqimore bazë, tha ministri Bekteshi dhe shtoi se këto masa synojnë që kompanitë, në radhë të parë prodhuesit e produkteve ushqimore bazë, të kenë parashikueshmëri dhe në atë mënyrë të mund të ndikojmë në çmimet e produkteve finale që prodhohen dhe shiten nga këto kompani.

Siç tha ministri Bekteshi, propozimi është dorëzuar te Odat Ekonomike, dhe është paraparë që masa për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për industrinë ushqimore të zgjasë deri në fund të muajit prill.

EMV do të furnizojë me energji elektrike këto kompani, sipas diskutimeve me Ministrinë e Financave dhe hapësirës financiare që kemi. Sipas përllogaritjeve fillestare, ndoshta do të jetë nën 100 euro për megavat orë, që do të thotë se do të jetë dyfish më e ulët se sa është aktualisht në tregun e rregulluar, dhe pothuajse trefish ose më shumë se sa është në tregun e hapur, që do të thotë se sigurisht që kostot operative të kompanive do të ulen deri në fund të muajit prill dhe në këtë mënyrë ato mund të bëjnë përllogaritje shtesë në pjesën e përcaktimit të çmimit përfundimtar, deklaroi ministri Bekteshi.

Ministri potencoi se në të njëjtën mënyrë dhe pothuajse vendime të ngjashme tashmë janë përgatitur nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me EМV-në dhe kompani të tjera energjetike për shkollat fillore dhe të mesme, spitalet, objektet publike dhe vendimi për to do të merret në fund të javës.

“Ky është një hap serioz dhe i mirë përpara për faktin se do të kemi një çmim më të ulët të energjisë elektrike që do të lejojë që çmimet e produkteve bazë që prodhohen me këto kode aktiviteti të jenë me një çmim të pranueshëm për konsumatorët. Krahas këtij hapi të mirë, do të prisnim edhe disa hapa të tjerë të përshtatshëm që mund të çojnë më tej në një situatë ku çmimi i produkteve në periudhën e vështirë do të bjerë në një nivel edhe më të ulët, më të përshtatshëm, tha Goran Gjorgievski nga Lidhja e Odave Ekonomike, përfaqësues nga industria e furrave pas takimit me ministrin Bekteshi.

Në fund të konferencës për media, ministri Bekteshi njoftoi se si një nga masat për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, nga 1 nëntori do të punojë edhe TE-TO nga ku do të sigurohen sasi shtesë të energjisë elektrike, dhe rrjedhimisht të energjisë termike.