Tateshi: Skandaloze kërkesa e Qeverisë për rritje të participimit gjatë kontrolleve në spitale publike

Shpërndaje

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar ndaj paralajmërimit të Qeverisë për rritje të çmimit të participimit gjatë kontrolleve në spitale publike. Nga ASH rikujtojnë se qeveria LSDM-BDI premtonte heqjen e plotë të pagesës së participimit.

Postimi i plote:

LIVE: Propozimi i Qeverisë për rritjen e participimit të pacientëve është skandaloz dhe i papranueshëm

Javën e kaluar, në vazhdën e masave anti-krizë të Qeverisë është propozuar edhe rritja e participimit gjatë vizitave dhe ekzaminimeve në spitalet publike. Propozimin skandaloz në fjalë e ka pranuar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila deklaron se “po shqyrtohet mundësia e futjes dhe rritjes së participimit në përdorimin e shërbimeve shëndetësore”. Ndërsa, nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se kjo kërkesë nuk do të merret si akt i kryer dhe se fillimisht do t’i bëjnë analizat se a do të jetë i domosdoshëm ky shtrenjtim i participimit për shërbimet shëndetësore.
Në kampanjën parazgjedhore në vitin 2016, partitë qeveritare LSDM-BDI premtonin shërbime kualitative shëndetësore nëpër spitalet publike si dhe heqjen e pagesës së participimit. Le që nuk i mbajtën premtimet, por në janar të viti 2019 i rritën çmimet e participimit dhe çmimet e barnave.

Ne, Aleanca për Shqiptarët, ngremë zërin e arsyes kundër këtij propozimi skandaloz dhe të pakuptimtë të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në këtë kohë të krizës energjetike që në mënyrë direkte dhe indirekte ndikon në standardin edhe ashtu të ulët të banorëve në Maqedoninë e Veriut. Me një vendim të gabuar dhe të shpejtuar, pa analiza konkrete nga specialistë të fushës do të rrezikonte shëndetin publik të banorëve e sidomos atë të rasteve sociale.

Aleanca për Shqiptarët propozon këto masa anti-krizë në shëndetësi:

– Qeveria të bëj kontroll rigoroz për korrigjim të çmimeve të barnave dhe materialeve harxhuese;

– Të riintegrohet Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup dhe

– Të riintegrohen spitalet e përgjithshme me shtëpitë e shëndetit nëpër të gjitha qytetet e shtetit.