Bekteshi: Nga nesër prodhuesit duhet të ofrojnë çmime të reja

Shpërndaje

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pret që nga nesër të fillojë zvogëlimi i çmimeve të disa artikujve ushqimor për shkak të vendimit të Qeverisë me të cilin prodhuesit e ushqimit do të marrin çmim të subvencionuar për energjinë elektrike.

Bekteshi sonte duke qenë mysafir në emisionin “10 minuta” në TV 21 sqaroi se prej nesër prodhuesit e produkteve ushqimore duhet të ofrojnë në markete çmime të reja të zvogëluara, por duhet të merret parasysh edhe fakti se marketet kanë rezerva prej më parë.

“Disa markete kanë rezerva prej më parë. Ulja e çmimeve duhet të fillojë nga nesër. Prodhuesit e produkteve ushqimore nga nesër do të fillojnë t’u ofrojnë marketeve çmime të reja të cilat janë ulur në përputhje me vendimet për subvencionimin e energjisë elektrike”, tha Bekteshi.

Ai paralajmëroi edhe përforcim të kontrolleve nga Inspektorati i Tregut, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që nëse vërejnë keqpërdorime nga tregtarët, t’i denoncojnë.

Në lidhje me energjinë ngrohëse, Bekteshi bëri të ditur se janë siguruar sasi të mjaftueshme të gazit natyror për ngrohtoret dhe se qytetarët do të furnizohen në vazhdimësi me ngrohje deri në fund të sezonit të ngrohjes.