Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023

Shpërndaje

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti seancë të re plenare, kryesuar nga Glauk Konjufca, kryeparlamentar, duke filluar me paraqitjen e vendimit të nxjerrë nga Presidentja e vendit, Vjosa Sadriu – Osmani, lidhur me zëvendësimin e deputetëve nga subjekti politik Lista Serbe.

Për rrjedhojë, 10 deputetët e rinj të komunitetit serb dhanë betimin e deputetit, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më pas, seanca vazhdoi punimet me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Ndërsa, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, ishte pika kryesore e rendit të ditës, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi kryeministri Albin Kurti.

I pari i Qeverisë, duke konsideruar se viti që po lëmë pas ka qenë vit i suksesshëm sa i përket të hyrave buxhetore, theksoi se viti fiskal 2023 do të ketë konsolidim shumë më të mirë të financave publike.

Duke përmendur që buxheti i vitit 2023 do të jenë 3 miliardë e 212 milionë euro, kryeministri Kurti specifikoi së në buxhetin e këtij viti linjat buxhetore do të adresojnë kategorinë e pagave dhe mëditjeve, investimeve në mallra, në shërbime dhe subvencione, në kategorinë e transfereve dhe në shpenzimet e tjera kapitale.

Po ashtu kryeministri Kurti tregoi se me buxhetin e vitit 2023 do të shtohen pozita të reja pune për inspektorë të punës, të shëndetësisë, të tregut dhe sektorit tatimor.

Duke përmendur investimet që do të bëhen në sektorin e arsimit dhe kulturës, ai tha se ndarja buxhetore për këtë vit fiskal do të shkojë në favor të sektorit të shëndetësisë, duke hapur pozita të reja pune dhe duke ndërtuar infrastrukturë më të mirë shëndetësore.

Nga ndarja buxhetore, siç kryeministri potencoi, parashihen të ndërtohen 11 çerdhe të reja, të hapen 243 pozita për stafin e çerdheve, të angazhohen 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara, të ofrohet mbështetje për bujqit dhe fermerët, të hapen 300 pozita në Policinë e Kosovës dhe të vazhdohen shtesat për lehonat, duke shtuar në skemën sociale të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare.

Investimi në terminalet doganore, në vazhdimin e punimeve në infrastrukturën rrugore, në mbështetjen e ndërmarrjeve publike, në kulturë e sport, në rezervat e shtetit, si dhe në fuqizimin e mëtutjeshëm të sigurisë së mbrojtjes së Kosovës, u përmenden si kategori të buxhetuara me kujdes dhe me shifrat më të larta buxhetore në krahasim me vitet paraprake.

Duke iu referuar ndikimit të inflacionit, krizës ushqimore dhe asaj energjetike në mbarë globin, kreu i qeverisë tha se me realizimin e planit qeverisës të kabinetit të tij, linjave buxhetore të hartuara si dhe mbështetjen e BE-së për ta tejkaluar krizën energjetike, do të lehtësohet jeta e qytetarëve të Kosovës, do të zhvillohet ekonomia dhe do të rritet punësimi.

Duke bërë të ditur se se do të investohet edhe në politikën e jashtme, ku fokusi do të jetë në diplomacinë publike, ekonomike dhe mërgatën, kryeministri Albin Kurti ftoi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta miratojnë në lexim të parë këtë projektligj.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, deputeti, Armend Muja, arsyetoi projektligjin në fjalë, duke treguar që amendamentimi i mëtutjeshëm i tij do të bëhet edhe pas miratimit në lexim të parë.

Nga GP i LVV-së fjalën mori deputetja Mimoza Kusari – Lila, e cila theksoi se ky projekt-buxhet parashihet të jetë buxheti më i lartë ndonjëherë i Kuvendit të Kosovës, i cili do të ndikojë në rritjen e stabilitetit të performancës buxhetore.
Deputetja Kusari – Lila specifikoi ky është buxhet i mirëqenies sociale, i zhvillimit ekonomik, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe arsimit.

Kryetarja e GP të VV-së ftoi shoqërinë civile dhe të gjithë të interesuarit e tjerë që të jetë aktivë në dëgjimet publike dhe diskutimet që do të mbahen gjatë fazës së shqyrtimit të projektbuxhetit në komisionet përkatëse.

Deputeti Mërgim Lushtaku nga GP i PDK-së, duke shpalosur qëndrimin subjektit të tij, vlerësoi se ky buxhet nuk është i bazuar në rritjen reale ekonomike por në rritjen në inflacion. Ai specifikoi se këtij drafti të buxhetit i mungon vizioni se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2023 dhe se rritja prej 5.5 % që qeveria parasheh, sipas tij, është imagjinare dhe bie ndesh me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar e të Bankës Botërore, të cilat, siç tha ai, parashohin rritje jo më të lartë se 3% për vitin 2023.

Nga GP i LDK-së, deputeti Besian Mustafa tha se prezantimi i vlerave të rritjes buxhetore të paraqitura nga Qeveria nuk pasqyron rritjen reale dhe se ndarja e të hyrave për ministritë nuk rregullon as edhe një çështje nga fillimi deri në fund.

Duke theksuar mungesën e refromave përmbajtësore në secilën prej ministrive me buxhetin e planifikuar, deputeti Mustafa tha se vetëm 21 % e buxhetit është ndarë për investimet kapitale, ndërsa pjesa tjetër për paga dhe mëditje.

Deputeti Pal Lekaj, në emër të GP të AAK-së, potencoi se buxheti i propozuar për vitin 2023 nuk pasqyron nevojat e qytetarëve dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës, marrë parasysh krizën socio-ekonomike me të cilën po përballen qytetarët.

Cenimin e buxhetit të pushtetit lokal për vitin 2023 deputeti Lekaj e konsideroi ndërhyrje të padrejtë dhe që cenon pavarësinë financiare të komunave.

Nga GP Multietnik, fjalën e mori Enis Kervan, duke theksuar relevancën e projektligjit që është në diskutim dhe duke vlerësuar po ashtu se ai është gjithëpërfshirës. Sipas tij, investimet kapitale dhe ato kulturore që janë përfshirë në buxhet janë të rëndësishme për komunitetet jo-shumicë që jetojnë në komuna të ndryshme të Kosovës.

Ai tha se amendamentet do të paraqiten në fazat e tjera të shqyrtimit të projektligjit.

Edhe ministri i Financave Hekuran Murati, tha se projektligji që po prezantohet përbën hap tutje drejt realizimit të planit qeverisës.

Duke bërë krahasime mes buxheteve të kaluara dhe propozimit aktual buxhetor, ministri Murati tha se padyshim që ka rritje dhe se është punuar vazhdimisht në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Pas ezaurimit të debatit, 64 për dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.