MaqedoniTop Lajme

Maqedoni e Veriut, studentët marshuan për Ditën Ndërkombëtare të Studentëve

Shpërndaje

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve, disa organizata studentore organizuan një marshim në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe për të kërkuar një standard më të mirë studentor, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshi i kuvendeve studentore universitare pranë Universitetit Kiril dhe Metodij, Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit FON, Kolegjit Amerikan, universiteteve të Manastirit dhe Shtipit, si dhe Lëvizja “Rezistenca Studentore”, filloi para ndërtesës së Qeverisë dhe vazhdoi deri para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit.

Qindra studentë marshuan në mënyrë paqësore duke mbajtur pankarta të ndryshme, ku ndër të tjera qëndronte: “A është ky viti 1939? Pa arsim nuk ka shtet”, “Jemi këtu që arsimimi të mos jetë i kotë”, “Vakti/Uria studentor/e”, “Ikja e trurit, ardhja e biftekut”.

Organizatorët dhe drejtuesit e organizatave studentore në fjalimet e tyre para Ministrisë së Arsimit porositën që në kushtet e inflacionit dhe krizës energjetike, të mos kursehet mbi kurrizin e studentëve me masat antikrizë.

Ata kërkuan rritje të shumës së vaktit të subvencionuar, përmirësim të kushteve të jetesës në konviktet e studentëve dhe bursa më të mëdha.

Njëkohësisht, organizatorët dhe pjesa më e madhe e studentëve mbanin “kartonë të verdhë” si simbol se marshimi është vërejtja e fundit, duke shtuar se do të vazhdojnë të luftojnë për kushte më të mira.

Pas fjalimeve, studentët në mënyrë simbolike lanë kartonët e verdhë para Ministrisë së Arsimit si paralajmërim përfundimtar, si dhe vakte modeste me bukë dhe djathë.

VIDEO