Miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2023

Shpërndaje

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 3.2 miliardë

Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit, drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, në lexim të dytë u shqyrtua Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Fillimisht, kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, paraqiti dhe arsyetoi raportin e komisionit për këtë projektligj, duke kërkuar që të miratohen amendamentet e propozuara nga komisioni funksional.

Mbështetje për këtë projektligj kërkoi edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 është një buxhet më i larti ndonjëherë dhe kap vlerën mbi 3.2 miliardë euro ose 3 miliardë e 212 milionë euro. Mirëpo, nëse merren parasysh edhe amendamentet që kanë kaluar në komision, atëherë kjo e kalon shifrën prej 3 miliardë e 225 milionë euro”, theksoi Murati.

Ai tutje tha se gjatë shqyrtimit kanë qenë disa ndryshime për të akomoduar disa projekte dhe se ka pasur disa korrigjime, të cilat janë bërë bashkërisht në komisionin funksional. Sipas tij, ky buxhet plotëson prioritetet e qeverisë dhe nevojat e qytetarëve.

Para fillimit të prezantimit dhe votimit të amendamenteve, qëndrimin kundër të grupeve parlamentare të opozitës e dhanë Mërgim Lushtaku (PDK) e Avdullah Hoti (LDK).

Deputeti Mërgim Lushtaku tha se asnjë nga kërkesat e tyre për organizata buxhetore nuk është marrë parasysh dhe se qeveria nuk është e interesuar që të mbështesë komunat dhe institucionet e pavarura. Ai tha se do jetë buxheti i parë që do të atakohet nga Gjykata Kushtetuese për shkak të një amendamenti të propozuar nga Ministria e Financave.

Edhe Avdullah Hoti tha se kanë pritur që të reflektohen disa anomali substanciale që i ka ligji, duke vlerësuar se ky ligj është antikushtetues dhe se argumentet e tyre i kanë dhënë në komision. Mes tjerash, edhe Hoti tha se kjo mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese, meqë shtoi ai, ekziston një nen që prek buxhetin e komunave. Sipas tij, me këtë qasje nuk duhet të mbështetet ky ligj dhe kjo është për keqardhje.

Tutje, pas shqyrtimit të 97 amendamenteve të propozuara, me 65 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Po sot, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kryetari Konjufca i njoftoi deputetët me propozimin e qeverisë për amendamentimin e Kushtetutës, që ka të bëjë me përfshirjen në të, të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Ai bëri të ditur se amendamenti do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim.