RajoniTop Lajme

Situata në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me situatën e krijuar dhe incidentet e fundit në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës,  institucioneve shtetërore,  ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it” – thuhet në komunikatë.

Thuhet se u theksua se brenda këtyre 17 ditëve që nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.
Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por  thonë se “janë në pritje të veprimeve nga KFOR-i”.
“U tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti ka pritur në takimin Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark për të diskutuar për situatën e fundit në veri dhe barrikadat e vendosura në disa prej rrugëve kryesore në 4 komunat e veriut.

Në këtë takim, sipas njoftimit të Qeverisë u fol për veprimet e strukturave kriminale në veri.

“Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it” – thuhet në njoftim.