Gazetari slloven Pozhar: Çështja Berishaj mund të çojë në rënien e Qeverisë sllovene

Shpërndaje

Gazetari i njohur slloven Bojan Pozhar, thotë se “afera Martin Berishaj” mund të çojë në rënien e Qeverisë së Sllovenisë.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në prill të vitit të kaluar, është akuzuar nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer kryeministrit slloven Robert Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.

Kryeministri slloven Golob e ka quajtur këtë trillim.

Pozhar, për “Kosovo Online”, ka thënë se pasi që rasti është duke u hetuar nga Prokuroria në Slloveni, atëherë duhet të ketë së paku shkëmbim të informacioneve mes autoriteteve të Sllovenisë dhe Kosovës.

“Është e vështirë të thuhet nëse për shkak të kësaj mund të bjerë Qeveria e Kosovës, pasi nuk e njoh mjaftueshëm mirë skenën politike në Kosovë, por sa i përket Sllovenisë, kjo mundësi definitivisht ekziston. Megjatë, mediat sllovene, kryesisht favorizuese për Robert Golobin, ende po i fshehin publikut informata për çështjen e Gen-I Ballkan, sepse ata ende po heshtin. Por, kjo s’mund të zgjasë gjithmonë”, ka thënë Pozhar.

Pozhar e vlerëson se nëse vjen deri te një ndjekje penale për çështjen në fjalë, e nëse në bankën e të akuzuarve do të jetë vetëm Berishaj apo edhe politikanë tjerë nga Sllovenia e Kosova, atëherë “është vendimtare nëse Berishaj do të flasë apo jo”.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është deklaruar publikisht pas akuzave për përfshirje në “skandalin financiar” që u zbulua në Slloveni, pasi mediat sllovene raportuan se ai ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob.

Berishaj ka thënë të mërkurën se këto akuza janë të pabaza, teksa ka thënë se nuk është as aksionar e as pronar i ndonjë ndërmarrjeje në Republikën e Kosovës, të Malit të Zi, në rajon apo botë.