Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari takohet me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shoqëruar nga deputetët Artina Qazimi dhe Elmi Aziri, u pritëm sot edhe nga Kryetari i LDK-së, z.Lumir Abdixhiku, përcjell albazone media.

Postimi nga Taravari gjatë takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku:

Kënaqësi e veçantë të takoj kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku

Fillimisht falënderova Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, për qasjen gjithmonë bashkëpunuese midis nesh dhe subjekteve tona. Roli dhe ndihma e LDK-së në kuadër të profilizimit tonë si parti e qendrës së djathtë dhe në afrimin me Partinë Popullore Evropiane janë të pazëvendësueshme.

Në këtë takim, ku isha i shoqëruar edhe nga deputetët Elmi Aziri dhe Artina Qazimi, diskutuam zhvillimet në veriun e Republikës së Kosovës dhe bashkërendimin e faktorit politik shqiptar në dënimin e veprimeve luftënxitëse nga ana e Beogradit.

Kryetarit Abdixhiku i shpreha zhgënjimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me vonesat shumëvjeçare në rritjen e konektivitetit midis dy vendeve tona, dhe u pajtuam për urgjencën e përfundimit të autostradës Arbën Xhaferi nga ana e Maqedonisë së Verius dhe të lidhjes midis Tetovës dhe Prizrenit.

Mikut tonë i shpreha dëshirën që ta shohim më shumë në Shkup dhe të takohemi më shpesh në bashkëpunimet rajonale me partitë simotra, për të adresuar çështje që bashkojnë shqiptarët nga të dyja anët e kufirit dhe sfida të përbashkëta si zgjidhja e kontesteve rajonale, kriza energjetike dhe ekonomike.