Diplomimi i gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës (Foto)

Shpërndaje

Mbi 430 kadetë sot i janë bashkuar Policisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe 53 gra.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratë së 57-të, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pjesëmarrja e grave në polici është një investim i duhur për gjithë shoqërinë.

“Dua të ju shpreh mirëseardhje në këtë rrugëtim të ri në shërbim të qytetarëve. Faleminderit për veprimin tuaj për t’i shërbyer shtetit. Policia buron nga qytetarët. Ju keni zgjedhur një profesion që kërkon përkushtim. Integriteti, profesionalizmi, respekti dhe paanshmëria ju duhet të veproni gjithnjë në përputhje me këto vlera. Si polici nga ju pritet që të jeni qytetarë model. Ju jeni ata që betoheni dhe garantoni që gjithë qytetarët do të ndjehen të sigurt”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se mbrojtja e kufijve duhet të jetë obligim i përhershëm, duke theksuar se të njëjtit kanë dhënë maksimumin edhe në veri.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar të gjithë policët e rinj, duke thënë se po forcohen radhët e shtetit.

“Për qeverinë tonë mbrojtja dhe siguria e vendit janë prioritet. Vetëm gjatë vitit të kaluar u realizuan 854 aksione kundër kontrabandës e korrupsionit. I shkatërruam 69 grupe kriminale. U konfiskuan 1.8 ton substanca narkotike. Dje, atje Policia e Kosovës janë shkatërruar tre laboratorë droge. Policia e Kosovës qëndron e palëkundur, ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejmë. Kolegët tuaj, zyrtarët policor kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me kontrabandën dhe krimin”, ka thënë Kurti.

Njoftimi nga Policia e Kosovës:

Sot, më datën 13.02.2023, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 57-të e Policisë së Republikës së Kosovës.

Këtë ceremoni solemne, me praninë e tyre e nderuan edhe personalitetet më të larta shtetërore: Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqësia e Saj znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Shkëlqësia e Tij, Kryeministri i RKS-së z. Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla, zëvendësministra, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës si dhe familjarë të kadetëve policorë që diplomuan sot. Në këtë ceremoni përveç ndarjes së certifikatave për 433 kadetë policorë, nga Ministri i Punëve të Brendshme u bë edhe ndarja e dy medaljeve për meritë, për Kryesuesin e Misionit të OSBE në Kosovës, Ambasadorin Davenport si dhe znj. Kimberly Riffe- Atashe për Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnime në Hetimet Penale, të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Personalitetet e larta shtetërore dhe u.d. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Hoti, të pranishmeve iu drejtuan me nga një fjalë rasti duke uruar kadetët policorë për diplomimin e tyre si dhe ju dëshiruan mirëseardhje në familjen e madhe policore.