Tërmeti mund t’i kushtojë Turqisë deri në 84 miliardë dollarë

Shpërndaje

Tërmeti më i keq që e tronditi Turqinë në gati një shekull ka lënë një gjurmë shkatërrimi që mund t’i kushtojë Ankarasë deri në 84.1 miliardë dollarë, tha një grup biznesi, ndërsa një zyrtar qeveritar e tha shifrën në më shumë se 50 miliardë dollarë.

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti 7.8 ballë i të hënës së kaluar arriti në 36,000 dhe duket se do të rritet, pasi fokusi i reagimit kaloi nga shpëtimi i të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja në sigurimin e strehimit, ushqimit dhe kujdesit psikosocial.

Një raport i publikuar në fundjavë nga Konfederata Turke e Ndërmarrjeve dhe Biznesit vlerësoi koston e dëmit në 84.1 miliardë dollarë – 70.8 miliardë dollarë nga riparimi i mijëra shtëpive, 10.4 miliardë dollarë nga humbja e të ardhurave kombëtare dhe 2.9 miliardë dollarë nga humbja e ditëve të punës.

Ai tha se kostot kryesore do të ishin rindërtimi i banesave, linjave të transmetimit dhe infrastrukturës dhe plotësimi i nevojave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për strehim të qindra mijërave të mbetur pa shtëpi, shkruan Reuters.

Presidenti turk Tajip Erdogan ka thënë se shteti do të përfundojë rindërtimin e banesave brenda një viti dhe qeveria po përgatitë një program për ta ngritur vendin përsëri.

Rreth 13.4 milionë njerëz jetojnë në 10 provincat e goditura nga tërmeti, ose 15% e popullsisë së Turqisë, dhe ajo prodhon afërsisht 10 përqind të PBB-së.