Kuvendi i Kosovës miraton në parim koeficientin 105 euro për paga

Shpërndaje

Është miratuar në lexim të parë në Kuvend koeficienti 105 euro për paga, në kuadër të plotësim-ndryshimit të Ligjit për ndarjet buxhetore në sektorin publik.

Koeficienti u miratua me 63 deputetë për, derisa kundër dhe abstenime nuk pati, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

Ndërsa, me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për mocion procedural, Kuvendi vendosi që ky projektligj të shqyrtohet në lexim të dytë po ashtu sonte prej orës 20:00.

Kujtojmë se buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik për vitin 2023 do të jetë 745 milionë euro.

Me Ligjin e ri për paga, është bërë një kategorizim i koeficienteve nga 2 deri në 18. Koeficienti më i lartë, që rrjedhimisht nënkupton edhe pagën më të madhe, sipas këtij ligji, i takon presidentes së shtetit.

Vlera e koeficientit për paga u bë publike në ditën e parë të shkurtit. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se koeficienti do ta ketë vlerën 105 euro, duke premtuar se vitin e ardhshëm do të rritet në 110 euro.

Këtë koeficient Kurti e ka arsyetuar duke e cilësuar si sistem të përllogaritjes për barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive.

Me t’u bërë i ditur koeficienti, pati pakënaqësi të shumta nga opozita, të cilët vlerën e tij e konsideruan mjerim për qytetarët.