Mbi nëntë milionë SMS dhe 5.7 miliardë euro – “Turqia një zemër”, fushata që mblodhi para për të prekurit nga tërmetet

Shpërndaje

Pas dy tërmeteve të fuqishme në shtetin turk, një shumë rekorde e parave u mblodh gjatë mbrëmjes së kaluar në një fushatë televizive.

“Turqia, një zemër” ishte motoja e fushatës së mbrëmshme televizive, ku morën pjesë dhjetëra aktorë dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Gjatë natës së kaluar, e cila u transmetua bashkërisht nga të gjitha televizionet, u grumbulluan 115 miliardë e 146 milionë e 528 mijë lira turke (5.7 miliardë euro) duke u dërguar më shumë se nëntë milionë SMS.

Theksojmë se përmes telefonit edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ndarë një milion euro për të prekurit nga tërmetet, raporton fanatik.

Kujtojmë se në mënyra individuale shumë qytetarë të Kosovës kanë ndihmuar shtetin turk dhe në mesin e tyre është edhe futbollisti, Vedat Muriqi, i cili një kohë ka luajtur për klubin e Fenerbahçes, ka ndarë 15 mijë euro për Turqinë.

Ndryshe, Turqia deri më tani ka regjistruar mbi 35 mijë viktima dhe shumë dëme materiale.