Vdes gjykatësi në rastin “Monstra”, “Sopoti”, “Titanik 2” dhe “TNT”, Ognen Stavrev

Shpërndaje

Gjyqtari Ognen Stavrev në dy vitet e fundit gjykoi në Repartin për krim te organizuar dhe korrupsion. Për shkak problemeve shëndetësore që i kishte, muajt e fundit ishte gjyqtar për ekzekutimin e dënimeve, transmeton 360shkallë.

Në moshën 63 vjeçare ndërroi jetë gjyqtari Ognen Stavrev nga Gjykata Penale e Shkupit. Ai për gjyqtar ishte zgjedhur në vitin 1999 dhe për mbi dy dekada ishte në të dy gjykatat themelore në Shkup.

Ai ishte gjyqtar në shumë raste të njohura në publik, si rasti “Monstra”, “Titanik 2”, “TNT”, “Sopoti” e “Falanga”. Para dy javëve e publikoi aktgjykimin për lëndën “Titanik 2”, lëndë e Prokurorisë Speciale Publike.

Ognen është djali i Dragolubit, president i Presidencës së Republikës Socialiste të Maqedonisë.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup e shpalli vendimin për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave. Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.