Arrestohet Dan Hutra, autori i dyshuar i vrasjes së 3 grave në Tiranë
Dan Hutra, autori i masakrës së trefishtë të ndodhur këtë të mërkurë në Tiranë është arrestuar nga policia. Burime paraprake bëjnë të ditur se 40-vjeçari është arrestuar në afërsi të landfillit të Sharrës. Autoritetet policore kanë sekuestruar edhe armën e krimit.
Kjo është dhe fotoja e publikuar nga Policia e Shtetit, ku Hutra shfaqet me pranga në duar.
Këtë të mërkurë, Hutra dyshohet se vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera, në 3 vende të ndryshme të kryeqytetit.
Arma e krimit e sekuestruar nga policia
Menjëherë pas arrestimit të tij, reagoi Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili përgëzoi policinë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz. Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skendën e tij kriminale. Edhe njëherë Policia e Shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe bëri detyrën duke çuar prapa hekurave autorin, që nuk duhet më kurrsesi t’i shpëtojë ndëshkimit më të ashpër të drejtësisë. Ngushëllime familjeve të viktimave”, shkruajti Çuçi në rrjetet sociale.