Kadastra, Rama: Jo vetëm do të mbyllen sportelet, por do të eliminohen të gjitha zonat ndarëse

Shpërndaje

Në prezantimin e drejtueses së re të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Kryeministri i vendit ka njoftuar se tani e tutje ky institucion nuk do të funksionojë më me sportele apo zona ndarëse.

Sipas Kryeministrit këto masa do e çojnë punën e insitucionit në një fazë të re bashkëpunimi dhe do përmirësohet dhënia e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Do të kemi një ndryshim në drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Thuajse një dekadë pas drejtimit të procesit të transformimit në këtë fushë, edhe pse mos të harrojmë që ky proces ka nisur me institucione të ndara, nga njëra anë hipoteka dhe nga ana tjetër ALUIZN-i. Në këtë rrugë është bërë një reformë integruese e të dyjave, megjithatë bëhet thuajse një dekadë dhe pa asnjë diskutim rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme, krahasimi me pikënisjen është absolutisht si dita me natën. Por, sot është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë me një ritëm tjetër, të gjithë procesit i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, të marrëdhënies mes qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës. Sot, kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje që është teknologjia. Dhe proceset teknologjike na kanë dhënë mundësinë të shërbejmë për qytetarët pa radha dhe ata ta kërkojnë shërbimin online.

Por, jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur sepse ne ndërkohë pjesa e përgjigjieve jepet ende me letër. Kadastra është banka më e rëndësishme e vendit, e pasurive të paluajtshme dhe kërkon që të sillet dhe të funksionojë si e tillë. Kështuqë mbyllja përfundimtare e kontakteve dhe ndryshimi përfundimtar i skemës së organizimit. Këtu jemi për çfarë nuk është bërë dhe çfarë duhet bërë. Jo vetëm që duhen mbyllur të gjitha sportelet, por duhen eliminuar menjëherë të gjitha zonat ndarëse. Nuk do të funksionojë më me sfera influence. I gjithë stafi do e zhvillojë veprimtarinë e vet mbrapa ekranit, për këtë sigurisht do të duhet një bashkëpunim shumë i ngushtë mes ASHK dhe AKSH-it në mënyrë që të hyjmë në një tjetër fazë. ”, tha Rama.