MASH: Vitin e ardhshëm akademik, konvikti në Tetovë do të jetë gati për 300 studentë

Shpërndaje

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se konvikti i ri për student që po ndërtohet për nevojat e Universitetit të Tetovës pritet të jetë gati për pritjen e studentëve në vitin e ardhshëm akademik.

Nga MASH theksojnë se punimet ndërtimore kanë përfunduar plotësisht, ndërsa aktualisht po pajisen dhomat dhe të gjitha hapësirat e tjera që do të jenë në dispozicion të studentëve. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, konvikti do të akomodojë rreth 300 studentë.

“Tetova do të bëhet me kampus të plotë universitar. Përveç hapësirave në të cilat zhvillohet veprimtaria mësimore-shkencore, me ndërtimin dhe vënien në funksion të konviktit të studentëve, universiteti shtetëror do të mund të ofrojë një shërbim të plotë për qytetarët e ardhshëm akademikë dhe pritet që të tërheqë një rritje të konsiderueshme të numrit të studentëve në periudhën e ardhshme. Këtu ka munguar kapaciteti akomodues dhe me përkushtimin e Qeverisë po ndërtohet konform të gjitha standardeve bashkëkohore të cilësisë”, tha Shaqiri.