Qytetarët ankohen se masat e qeverisë për ngrirjen e çmimeve të vonuara

Shpërndaje

Qytetarët e anketuar ngrirjen e produkteve të qumështit dhe pastave e vlerësojnë pak si të vonshëm, pasi që tani çmimet janë rritur shumë.

“Vlerësoj se çmimet janë tejet të larta, tani isha në treg për të blerë patate, ku çmimi kishte shkuar në 80 denarë për kilogram, mendoj se çmimet janë tejet të larta.”, – tha një qytetar.

“Realisht çmimet i kanë ngritur shumë, ndërsa pagat mbetën të njëjta.”, – u shpreh një qytetar.

“Pak masa është e vonuar, duhej më herët.”, – tha një qytetar tjetër.

“Njëherë i rrisin çmimet, pastaj shkojnë i zvogëlojnë, e njëjta si me rrymën dhe naftën, i rrisin çmimet për 5 denarë, pastaj të nesërmen, e ulin për 1 denarë.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

“Të gjitha çmimet, të cilat janë rritur, duhet të zvogëlohen.”, – tha një qytetar.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Abil Baush, këtë masë të qeverisë e vlerëson si një intervenim në treg, i cili do të japë rezultat në afat të shkurtër, andaj nevojiten masa më të qëndrueshme, të cilat janë në vijë të njëjtë me funksionim e lirë të tregut.

“Bëjmë disa gjëra të cilat për momentin ndoshta janë masa sociale për qytetarët, siç është ngrirja e çmimeve, por në afat të gjatë mund të japë rezultate shumë të këqija. Momenti i duhur është kur ne duhet të mendojmë ta liberalizojmë tregun për disa produkte, shembull, nëse miellit ia heqim banderolat dhe fillojmë të kërkojmë tregje të tjera për importin e miellit unë mendoj se do të kishim çmime më të lira ose nëse mundohemi që disa produkteve si qumështi, vaji, e të tjera të fillojmë me zvogëlimin e taksave nëpër dogana, akcizave, atëherë do të shohim se mund të kemi edhe impakt më të madh në zvogëlimin e çmimeve.”, – deklaroi eksperti ekonomik, Abil Baush.

Nga Inspektorati i tregut të punës informojnë se në mënyrë intenzive do të kryhen kontrolle dhe mbikëqyrje mbi vendimet e qeverisë dhe nuk do të ketë lëshime dhe do të dënohen të gjithë ato që do nuk do t’i respektojnë. Ndryshe kjo është ngrirja e dytë e çmimeve për këtë vit pas ngrirjes së çmimit të bukës në 33 denarë.