Arrestohet kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka arrestuar kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Ushtrimi i ndikimit si dhe veprën penale “Konflikti i interesit”.

“Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e PK-së.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme. Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatë.