Escobar: Me apo pa pjesëmarrjen e serbëve, ShBA do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve në veri

Shpërndaje

I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar vendimin e Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë të katër komunave veriore.

Escobar tha se serbët duhet marrë pjesë në zgjedhje, mirëpo edhe nëse përfundimisht nuk marrin pjesë, ShBA prapëseprapë do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“I kam bërë apel serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment”, tha Escobar për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, përcjell “Euronews.sr”.

Ai tha se SHBA-të po kërkojnë që serbët të kthehen në departamentet e policisë, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Kjo është një pyetje vërtet komplekse. Do të duhet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”.

Emisari Escobar po ashtu ka dënuar veprimet e ndryshme kriminale që kërcënojnë sigurinë në rajon, përfshirë këtu djegjen e veturave në veri.

“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.