Komisioni i Granteve: Buxheti komunal për vitin 2024 kap vlerën 742 milionë euro

Shpërndaje

Nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti është mbajtur sot takimi i Komisionit të Granteve, ku u diskutua dhe u aprovua financimi komunal për vitin 2024-2026.
Drafti i përgaditur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për financimin komunal për periudhën 2024-2026 është i bazuar në legjislacionin për financat publike dhe aprovimi i këtij drafti do t’u mundësojë komunave dhe nivelit qendror zhvillimin e rregullt të procesit buxhetor.

Në total, buxheti komunal për vitin 2024 në nivelin komunal kap vlerën prej 742.02 milionë euro, e që paraqet një rritje prej 82.51 milionë euro krahasur me buxhetin komunal të vitit 2023.
Granti i Përgjithshmëm për vitin 2024 kap shumën prej 284.68 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekord e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit.

Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsimin. Granti për Shëndëtësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsimin është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro.

Komisioni i Granteve ka miratuar buxhetin me rritje edhe për Granti e Kryeqytetin me afro 12% krahasur me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80% apo 720 mijë euro.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve mbetet e përkushtuar në qëllimin e saj për ngritjen e mirëqenies sociale, dhe e vlerëson lartë bashkëpunimin me nivelin komunal që t’u gjindemi sa më afër qytetarëve.