‘Ju hëngsha zemrën të gjithë durrsakëve’. Rama mbyll fushatën për zgjedhjet e 14 majit

Shpërndaje

Me moton, “e sotmja është ku e ku më e mirë sesa e djeshmja, por e ardhmja do të jetë ku e ku më e mirë se e sotmja”, kryesocialisti Edi Rama mbylli sonte në Durrës fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, raporton noa.al.

Ndryshe nga mitingjet e deridjeshme, ky në Durrës u karakterizua nga tone mininaliste kundër opozitës dhe ndryshe nga mitingu më herët sot në Shkodër, krye opozitari Berisha nuk u përmend nga Rama.

Ai e përqendroi fjalimin tek apeli që qytetarët të shkojnë të dielën për të votuar kandidatët socialistë.

“Në 14 maj kur të shkoni të votoni, mos harroni që përballë Anit dhe Partisë Socialiste, përballë Arturit dhe Partisë Socialiste, përballë Eltonit dhe Partisë Socialiste janë ata të atyre plehrave në Porto Romano, janë fiks ata dhe janë njësoj si ajo vatër infeksioni në politikën shqiptare.” tha Rama.

Fjala e plotë

Shumë faleminderit! Realisht në kujtesën time, ky është takimi më i madh, më i jashtëzakonshëm këtu në Durrës, e më vjen jashtëzakonisht mirë sepse patëm disa debate me grupin udhëheqës të Partisë Socialiste kur i thashë që kjo maratonë, stacionin e fundit do ta ketë në Durrës dhe e merrni me mend vet se çfarë mund të kenë thënë ata që donin ta bëjmë në Vlorë, ta bënim në Tiranë, ata që donin të bëhej në Elbasan, në Fier, që përderisa nuk do bëhet në Tiranë, atëherë secili prej tyre mendonte që duke u bërë atje, do kishte më shumë njerëz se në Durrës, se të gjithë mendonin se durrsakët nuk janë aq të takimeve të mëdha, të mitingjeve, të momenteve përmbyllëse kur realisht i vihet qershia mbi tortë një fushatë elektorale.

Mirëpo jam i bindur 1000% që të gjithë ata që po ndjekin këtë takim, nuk po e besojnë dot që po ndodh në Durrës. Ju jam shumë mirënjohës për këtë, nuk diskutohet, është privilegj që jam edhe deputet i Durrësit, por më besoni që është privilegj që të jem pjesë e kësaj historie të partisë Socialiste këtu në Durrës sepse të gjitha këto fitore njëra pas tjetrës, nuk kanë ardhur kot.

Nuk kanë ardhur as lehtë, por janë fitore që kanë ardhur për të shpërblyer një punë të bërë e për të dhënë mbështetje për të vazhduar për të bërë më shumë punë duke i dhënë besim jo një personi, por duke i dhënë besim një skuadre.

Në Durrës, ne kemi fatin të kemi një skuadër të jashtëzakonshme të Partisë Socialiste, që ka në përbërjen e vetë që nga ata që e përfaqësojnë Durrësin në parlament. E këtu dua ti bëj një përshëndetje shumë të veçantë doktoreshë Klodit, Milvës. Ju e dini që burrave unë nuk i bëj përshëndetje, por edhe deputetëve të tjerë të Durrësit. Dua t’i bëj një përshëndetje të gjithë anëtarëve e anëtareve të gjithë këshillit bashkiak të Durrësit. Dua t’i bëj një përshëndetje kryetarit tonë të partisë në Durrës. Dua t’i bëj një përshëndetje gjithë kryetarëve të organizatave socialiste të gjithë bashkisë së Durrësit. Dua t’i bëj një përshëndetje patronazhistëve të frikshëm të Durrësit. Dua t’i bëj një përshëndetje të gjithë zgjedhësve, votuesve e votueseve të Partisë Socialiste në Durrës dhe padiskutim, e lash për në fund, por jo për nga rëndësia.

Dua ti bëj një përshëndetje kryetares së bashkisë së Durrësit, e cila ndër shumë cilësi të tjera, ka cilësinë e paparë që t’i fshehi emocionet më mirë se çdo kush tjetër që unë kam parë në jetën politike. Ndërkohë që të jeni të sigurt ka shumë më tepër emocione se sa gjithë të tjerët që dinë t’i fshehin më pak emocionet.

Nuk e harrova as kryetarin e bashkisë së Shijakut e as legjendën tonë të bashkisë së Krujës sepse realisht ashtu si këtu në Durrës, edhe në Shijak është bërë një punë e jashtëzakonshme, por edhe në punë është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ajo që është akoma më e rëndësishme është që sot ne hyjmë në një fazë tjetër sepse Durrësi, Shijaku, Kruja, vërtetë janë tre bashki por është e domosdoshme që ato të ndërveprojnë shumë më tepër me njëra-tjetrën sepse oferta turistike e Durrësit e ka të domosdoshme që të jetë një ofertë shumë më e gjerë se sa kufijtë e bashkisë së Durrësit.

Ashtu sikundër oferta turistike e Krujës e ka të domosdoshme që të jetë shumë më e gjerë se sa kufijtë e bashkisë së Krujës e natyrisht, kujt do t’i shkonte mendja ndonjëherë deri disa vite përpara që edhe Shijaku do hynte në ofertën turistike të qarkut të Durrësit. Unë jam i bindur që nuk ka një kilometër katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin dhe jam i bindur që Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik, jo të bashkisë së Durrësit, por të Republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një kapitulli tjetër, të një momenti tjetër të historisë së zhvillimit tonë ekonomik sepse më në fund, pas shumë përpjekjesh është vendosur baza por ndërkohë janë lidhur dhe gjërat bashkë.

E kështu, me portin e ri turistik, me portin e ri tregtar në Porto Romano, me hekurudhën e re, Durrësi bëhet një pikë lidhëse jo vetëm për Shqipërinë, por bëhet një pikë lidhëse për gjithë hapësirën e rajonit tonë. E duke u bërë një pikë lidhëse për gjithë hapësirën e rajonit tonë, Durrësi do të rikthehet sesbën në atë që ka qenë historia e vet shumë e vjetër dhe e largët. Historia e asaj porte kryesore të kësaj ane të Adriatikut që romakët e përdorën për të hyrë e për tu shtrirë në territore të tjera.

Sot, pas këtij takimi, ne do shkojmë tek amfiteatri e do të bëjmë lançimin e fazës tjetër të zbulimit të amfiteatrit. Amfiteatri i Durrësit është amfiteatri më i madh që romakët ndërtuan jashtë Romës, e kjo ka një arsye sepse Durrësi ishte pasqyra e anës tjetër të Adriatikut dhe duke i dhënë jetë projekteve të mëdha që tanimë janë jo më dëshira, nuk janë më as thjesht projekte por janë plane që kanë nisur të zbatohen, ne do t’i japim jetë e do të vëmë në lëvizje motorë të rinj me shumë herë më tepër kuaj fuqi të ekonomisë shqiptare e do të krijojmë një hapësirë krejt të re për punësimin cilësor të të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë por me të drejtë duan të paguhen shumë më mirë në punë.

Pa diskutim që do t’i japim jetë një historie krejt të re tregtie të Shqipërisë si një nyje lidhëse e në këtë histori krejt të re tregtie, Shqipëria do të jetë ajo që do të përfitojë pa diskutim shumëçka nuk ka arritur ta përfitojë dot në dekada e pse jo edhe në shekuj.

Për të gjitha këto na duhet me patjetër, jo vetëm që të vazhdojmë të shkojmë vetëm përpara, por na duhet patjetër një mbështetje shumë e madhe, na duhet patjetër një bashkëpunim shumë i ngushtë mes qeverisë, bashkisë së Durrësit, bashkisë së Shijakut, bashkisë së Krujës dhe në këtë moment është shumë e rëndësishme që qytetarët durrsakë, jo vetëm ata që e kanë votuar dhe do ta votojnë përsëri PS, i kanë votuar dhe do t’i votojnë përsëri kryetarët tanë të bashkive, por dhe ata të tjerët, ata të tjerët që ndjehen me një përkatësi tjetër politike, ata të tjerët që janë rreshtuar në një kamp tjetër politik. Ata të tjerët që për arsye të historisë familjare vazhdojnë të besojnë, të mendojnë se i përkasin të djathtës. Në rregull fare, nuk ka asnjë problem, atyre unë nuk iu bëj thirrje të votojnë PS, atyre unë iu bëj thirrje të vijnë të votojnë për Anin ditën e diel. Atyre unë iu bëj thirrje të votojnë për Turin ditën e diele, të votojnë për Eltonin ditën e diel sepse vota ditën e diele nuk është një votë për të ndarë me tifozllëk se kush është më i fortë ekipi i Durrësit në futboll, apo ekipi i Shijakut, apo ekipi i Krujës. Vota është për të marrë në punë dhe për të mbajtur në punë njerëzit e duhur për t’i shërbyer këtij projekti të madh transformimi, që është dhe arsyeja pse unë kam ardhur deputet në Durrës, që është dhe arsyeja pse unë jam shumë i pranishëm në Durrës.

E keni dëgjuar kur thonë “Edi Rama shkon shpesh në Durrës se nuk i ka mirë punët Emirjana dhe i kanë dalë keq sondazhet”, sepse nuk e kuptojnë fare se për çfarë bëhet fjalë. Nuk e kuptojnë fare që në fakt këtu bëhet fjalë për të ardhmen, bëhet fjalë për një potencial të jashtëzakonshëm që ne sapo kemi filluar ta vëmë në punë dhe që duhet të bëjmë shumë më tepër punë, duhet të shpenzojmë akoma më shumë energji që ta vëmë në punë gjithmonë e më shumë në shërbim të komunitetit këtu, por në shërbim dhe të gjithë Shqipërisë.

E sa për sondazhet e sa për rezultatin, unë iu them atyre që duan ta dinë si do dalim ne ditën e diel në bashkinë e Durrësit, që të marrin të numërojnë sa njerëz ka këtu sot dhe ajo do jetë diferenca e rezultatit ditën e diele. Që të mos çuditen fare. Mijëra e mijëra e mijëra vota diferencë mes Emiriana Sakos, se kështu e ka te fleta e votimit dhe atij që nuk e them fare me gojë se kemi folur, i dimë të gjitha dhe këtë pamje kaq të bukur që duket si hapja e sezonit më të bukur turistik, unë them mos ta prishim as nga ana akustike me turistë të dështuar të politikës së vjetër që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri dhe që janë gjithmonë e më pak dhe nëse kjo gjithmonë e më pak shikohet çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më shumë në mbështetjen që gjejnë nëpër sheshe, unë jam i bindur që ditën e diele do të fillojë të shikohet shumë më qartë dhe gjithmonë e më shumë pastaj në zgjedhjet pas dy vjetësh sesi jo shumica, që shumica as nuk i ka dashur, as nuk i ka afruar prej kohësh, por edhe pala tjetër, ajo palë e pakicës që ka qëndruar stoike mbas tyre, do t’i braktisë në kërkim të diçkaje tjetër.

Nuk po them që do vijnë dhe do futen të gjithë në PS, larg qoftë se pastaj do më detyroni të shkoj ta bëj unë Partinë Demokratike edhe ta fillojmë nga e para, por natyrisht kjo nuk ndodh, por e kam fjalën që do të çlirohet Shqipëria politike dhe nga ai makth. Ndërkohë që ne me këtë pamje këtu në Durrës iu themi të gjithëve atyre që hezitojnë të vijnë me ne, apo të mos vijnë me ne, ose atyre që thonë “me këta s’shkojmë kurrë”.

Shiheni sa bukur është të jesh me ne, shiheni sa kënaqësi është të jesh me ne. Shiheni! Ka lezet! Njerëz të lirë, njerëz që kanë ardhur për kënaqësi. Ndërkohë që nuk dua ta mbyll pa thënë disa fjalë lidhur me atë që ka të bëjë drejtpërdrejtë me gjithë këto projekte, me gjithë këto plane, me gjithë këtë zhvillim që është ekonomia e gjithsecilit dhe e çdo familje shqiptare sepse Durrësi ka kapacitetin të krijojë një fuqi që të rrisë mirëqenien jo vetëm të familjeve që jetojnë në Durrës, por të ndikojë në mirëqenien e të gjitha familjeve që jetojnë në Shqipëri dhe nëse sot ende pa i zhvilluar këto projekte dhe me gjithë ato që hoqëm dhe këtu në Durrës ju jeni dëshmitarë të drejtpërdrejtë të asaj tragjedie të madhe. Kemi qenë këtu tek ky vend kur prisnim familjet e tmerruara nga tërmeti që i hipnim nëpër mikrobusa për t’i çuar nëpër hotele. Keni qenë dëshmitarë si të gjithë shqiptarët të gjithë atij tmerri të madh të pandemisë. Jeni dëshmitarë si të gjithë të tjerët, të problemeve të mëdha me inflacionin, me çmimin e frikshëm të energjisë elektrike e kështu me radhë dhe sot po bëheni dëshmitarë të faktit që me gjithë këto probleme që na kanë detyruar të ndalojmë në vend jo një herë, por tre herë, të marrim shumë fonde dhe t’i çojmë për të përballuar ato probleme, jemi sot në momentin kur po bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave në Shqipëri. Jemi sot në momentin kur po kthejmë atë që ka qenë investimi i kaq shumë njerëzve me vota, me mbështetje, me sakrifica, me durim të madh sepse në fund të ditës patjetër që të gjithë ata që na kanë votuar, na kanë votuar që t’i bëjmë qytetet më të bukura, na kanë votuar që të shtrojmë më shumë rrugë, na kanë votuar që të sjellim ujin e pijshëm kudo, na kanë votuar që të kemi shkolla, çerdhe, kopshte më të mira. Na kanë votuar që të bëjmë spitale, na kanë votuar që të bëjmë qendra shëndetësore, por na kanë votuar që në fund të muajit të çojnë më shumë të ardhura në shtëpitë e tyre dhe ky moment është momenti i një kthese të madhe, i një kthese të madhe që do bëjë që paga mesatare vitin e ardhshëm në sektorin publik te shkojë nga 530 euro që ishte përpara se ta fillonim këtë rritje në 900 euro dhe patjetër kjo të shoqërohet me një rritje të përgjithshme, sicc ka filluar me rritjen e pagave dhe në sektorin privat.

Por ama, kjo nuk mjafton dhe në asnjë mënyrë, ne nuk do ndalemi kur të ndodhë kjo vitin e ardhshëm. Ne duam që nëse të ardhurat për frymë janë rritur nga 3300 euro që ishin kur ne filluam këtë rrugëtim të përbashkët në 6400 euro, pa i çuar në 10 mijë euro ne nuk e kemi bërë plotësisht detyrën tonë.

E solla këtu këtë për të thënë që të gjitha këto projekte, dhe mos harroni që në rrugën drejt Shqipërisë 2030, projektet më të mëdha strategjike kombëtare i ka bashkia e Durrësit sepse dy portet e mëdha do ndërtohen këtu, por do t’i shërbejnë, jo vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë të gjithë rajonit tonë dhe natyrisht, përfituesi më i drejtpërdrejtë ekonomikisht do jetë bashkia e Durrësit.

Ani e përmendi në fjalën e saj dhe unë dua ta mbyll me këtë pjesë, me pjesën që ka të bëjë me fëmijët, që ka të bëjë me të rinjtë. Durrësi ka domosdoshmërinë që të bëhet një bashki që të jetë një bashki model, model për të gjithë të tjerët dhe ne po punojmë për ta bërë këtë model përsa i përket infrastrukturës sportive dhe përsa i përket aksesit të fëmijëve të qendrës dhe të periferive në sport.

Kemi ndërtuar një numër shumë të madh palestrash, e kemi filluar punën në këtë detyrë me palestra në Shqipëri që numëroheshin me gishtat e dorës. Sot kemi qindra e qindra palestra, kemi një lëvizje sportive të re që ka filluar në shkolla për të cilën Komiteti Olimpik Shqiptar ka marrë përgëzimet më të mëdha nga Komiteti i madh Olimpik Botëror dhe për të cilën plot nga Komitetet Olimpike kanë ardhur në Shqipëri për të parë këtë organizim, jo se është ndonjë shpikje, por sepse sot shumë vende po vuajnë largimin e fëmijëve nga sporti dhe mbylljen e fëmijëve pas ekraneve të kompjuterëve, telefonave dhe realisht problemin e madh të obezitetit të fëmijëve.

Ndërkohë që, ne kemi kaq shumë uri, kaq shumë nevojë, na ka munguar kaq shumë kjo pjesë si shoqëri saqë shikojmë që prindërit e kanë gjënë më të rëndësishme, pas kushteve të mira në shkollë, që fëmijët e tyre të munden të bëjnë sport dhe Durrësin ne do ta bëjmë bashkinë që do ketë një program, që ne e kemi dizenjuar të fushave sportive, të terreneve sportive, për numër fëmijësh të standardeve më të larta të Europës.

Qershia mbi tortë në këtë do jetë akademia dhe shkolla e futbollit e Manchester City këtu në Durrës. Ju e patë që disa filluan të përqeshin. Ata që filluan të përqeshin janë fiks ata, të cilët Durrësit, në vend të këtyre që flasim ne, i lanë mu në mes të trupit një kancer të tmerrshëm, atë zonën e tmerrshme të plehrave, derrave, të dosave, të bullicave dhe të helmit të Porto Romanos.

Në 14 maj kur të shkoni të votoni, mos harroni që përballë Anit dhe Partisë Socialiste, përballë Arturit dhe Partisë Socialiste, përballë Eltonit dhe Partisë Socialiste janë ata të atyre plehrave në Porto Romano, janë fiks ata dhe janë njësoj si ajo vatër infeksioni në politikën shqiptare. Ndërkohë që, atyre unë ju them “Nuk ka asnjë problem”. Sa herë që ne kemi nisur diçka, jemi përqeshur, jemi baltosur dhe pastaj puna ka folur vetë.

Akademia dhe shkolla e futbollit në Durrës është fillimi një historie krejt të re, jo thjesht për futbollin shqiptar, por është fillimi i një historie krejt të re për të gjithë fëmijët e këtij vendi.

Ashtu sikundër, është pjesë e historisë së re të Durrësit që me atë akademi, e cila ka ekskluzivitetin bashkia e Durrësit, për të gjithë Ballkanin do bëhet destinacioni i talenteve sportive në futboll nga i gjithë Ballkani.

E sotmja është ku e ku më e mirë sesa e djeshmja, por e ardhmja është ku e ku më e mirë se e sotmja dhe po aq e madhe, më besoni, sa ç’është sot diferenca në mendjen tuaj mes asaj që është sot Durrësi, Kruja, Shijaku dhe Shqipëria dhe asaj që ishte përpara se ne të fillonim këtë përpjekje të madhe, po aq e madhe do jetë diferenca mes kësaj që është sot Durrësi, Kruja, Shijaku dhe gjithë Shqipëria dhe asaj që do të jetë në 2030 Durrësi dhe e gjithë Shqipëria.

Prandaj, këtu nga Durrësi i bëj apelin e fundit të gjithë shqiptarëve që do të votojnë në 14 maj dhe ju them atyre që akoma nuk e kanë ndarë mendjen “Shikoni Durrësin dhe bëni atë që bën Durrësi” sepse Durrësi nuk ka qenë kurrë një aktor i flaktë, por ka qenë gjithmonë një lojtar shumë i mençur. Durrësi nuk është sulmues, nuk është as portier, nuk është as mbrojtës. Durrësi është mesfushori më i mirë që ka skuadra shqiptare e 61 bashkive dhe kur Durrësi e hedh topin për të bërë golin, nuk gabon asnjëherë.

Prandaj, hidheni votën tek Partia Socialiste dhe tek kandidatët tanë ose hidheni votën tek kandidatët tanë dhe nëse nuk e hidhni dot tek Partia Socialiste, pasi të votoni Anin, ikni nga qendra e votimit dhe gëzojuni Durrësit të ri të së ardhmes me Anin, me Partinë Socialiste dhe me gjithë këta njerëz të bukur që janë mbledhur këtu me flamujt kuq e zi.

Dua që imazhi i fundit i kësaj maratone të jetë ky shesh kuq e zi. Ngrijini të gjithë flamujt. Mos lini asnjë flamur pa ngritur.

Ju hëngsha zemrën të gjithë durrsakëve.”