Provimi i maturës do të mbahet më 27 maj, Qendra për Provime pezullon grevën

Shpërndaje

Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve ka pezulluar grevën. Si arsye për këtë, sindikata përmend dyshimin se nëse provimi i maturës shtetërore zhvillohet me forcë, mund të vërë në pikëpyetje vlefshmërinë e testeve. Gjithashtu, ata thonë se vendimin e morën pas deklaratës së ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri se më 27 maj patjetër duhet të ketë maturë shtetërore.

“Masat dhe presionet e dhunshme të ministrit Shaqiri me tentativën për futjen e të huajve në procesin e maturës shtetërore, proces me shkallë të lartë të fshehtësisë, do të vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e testimit dhe rezultatet e maturës. Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, si ekspertë të fushës dhe persona me integritet të lartë dhe me ndjenjë përgjegjësie sociale, kanë vendosur të shtyjnë luftën për të drejtat e tyre për një jetë dinjitoze në të mirë të së ardhmes suaj”, thonë nga Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve.

Paraprakisht, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se nëse është e nevojshme, në Qendrën Shtetërore të Provimeve do të dërgojnë staf nga Ministria e Arsimit për të ndihmuar në kryerjen e detyrave të punës. Ndërkohë, nga UNSHM-ja vlerësojnë se sikurse greva edhe e drejta e arsimit është e garantuar me kushtetutë.