Kurti: Sistemi gjyqësor e ai prokurorial duhet të zhvishen nga ndikimet politike

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të Strategjisë Kundër Korrupsionit ka thënë se janë të obliguar të krijojnë një ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial të zhvishen nga çdo lloj ndikimi politik.

Kurti shtoi se reformën po e vazhdojnë me vetting të pozitave të larta në sistemin gjyqësor e prokurorial dhe luftim të pasurisë së pajustifikueshme me Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë.

“Jemi të obliguar të krijojmë ambient ku sistemi gjyqësor e prokurorial zhvishet nga çdo lloj ndikimi politik dhe vepron vetëm në bazë të ndërgjegjes personale dhe përgatitjes profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit në bazë të të cilit edhe gjykohet nga publiku”, tha Kurti.

Kryeministri ka theksuar se duan etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit e kontratave në këmbim të parave.

Mes tjerash, me këtë rast theksoi se lufta e Qeverisë ndaj korrupsionit ka ndikuar edhe në rritjen e ekonomisë.