Taravari: Gjuha Shqipe duhet të përfshihet në Kushtetutë

Shpërndaje

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i ASH-së, Arben Taravari ka përsëritur qëndrimin e tij se gjuha shqipe duhet të futet në Kushtetutë dhe të hiqet “20 përqindëshi” diskriminues, përcjell Klan Macedonia. Partia e tij, vlerësoi Taravari, mbështet ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Kërkesa jonë është heqja e 20%. Në Maqedoni gjuhën shqipe e kemi zyrtare, por quhet gjuha të cilën e përdorin 20% e qytetarëve dhe kërkesa jonë është që 20% të zëvendësohet me gjuhën shqipe. Këtë e pëkrahin të gjitha partitë politike shqiptare, por edhe partitë politike maqedonase deklarativisht”, u shpreh kreu i ASH-së, Taravari.

Në lidhje me ndryshimet e mundshme të Kodit Zgjedhor, Taravari u shpreh se partia e tij është për lista të hapura.

“Kërkesat e partive më të vogla maqedonase janë për një njësi zgjedhore dhe të ketë lista të hapura. Për lista të hapura jemi të gjithë pro, pa përjashtim. Mbetet për t’u disktuar nëse do të kemi një njësi zgjedhore, 6 njësi zgjedhore sikurse tani ose propozimi i partisë sonë që është 8 njësi zgjedhore”, u shpreh Taravari.

Shteti i së drejtës, sipas Taravarit, është një nga pikat më të dobëta të Maqedonisë. Ai beson se duhet të gjendet një mënyrë për ta pastruar sistemin gjyqësor, siç është vetingu.

“Shteti i së drejtë është njëra prej pikave më të dobëta të funksionimit të shtetit të Maqedonisë dhe për këtë kemi marrë plot rekomandime edhe prej faktorit ndërkombëtar, por edhe prej ambasadorëve me relevancë. Tani Ministrinë e Drejtësisë e udhëheq kuadri i Aleancës për Shqiptarët dhe besoj se tashmë kanë nisur disa procedura për t’i stabilizuar gjykatat dhe prokurorinë… Besueshmëria e qytetarëve në sistemin gjyqësor është 4-8%. Kjo është katastrofale. Besoj se gjatë kësaj periudhe, me ndryshimet që do t’i propozojmë si Ministri e Drejtësisë, kjo besueshmëri do të rritet dhe qytetarët do ta vërejnë se ka ndryshime në sistemin gjyqësor”, deklaroi kryetari i ASH-së, Arben Taravari.