Mickoski: Jo kryeministrit shqiptar – Qeveri kalimtare pa BDI-në!

Shpërndaje

“NDRYSHIMET KUSHTETUESE EFEKTIVE PASI RMV-ja TË BËHET ANËTARE E BE-së”

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë një aktiviteti partiak në Koçanë, ka përsëritur se kushtet e kësaj partie që eventualisht t`i votojë ndryshimet kushtetuese, do të ishte Qeveria kalimtare pa BDI-në deri në zgjedhjet e reja dhe ndryshimet kushtetuese të jenë efektive atëherë kur Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, njofton KlanM.

Por, jo vetëm kaq. Lideri i opozitës, sic tha, në takimin e liderëve ka propozuar që qeveria teknike deri në zgjedhje të mos udhëhiqet nga Kryeministri shqiptar.

“Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë Kryeministri për shkak të marrëveshjes LSDM-BDI ose kushtimisht thënë shqiptar etnik, por do të jetë Kryeministër që do të zgjidhet me shumicë në parlament. Këtë e propozuam si VMRO-DPMNE dhe presim përgjigje nga LSDM”, tha Hristijan Mickoski.

Mickoski, duke përshëndetur deklaratën e Bujar Osmanit, se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë deri në zgjedhje, sic njofton KlanM, është shprehur se do të bëjë gjithcka që është në suaza të ligjit dhe Kushtetutës, që edhe pas qeverisë kalimtare, BDI-ja të mbetet në opozitë.

Mickoski duket se në qeverinë kalimtare preferon opozitën shqiptare.

“Është mirë që opozita e konsoliduar shqiptare të jetë pjesë e kësaj qeverie, të ketë edhe ajo disa institucione, që në zgjedhje të kemi terren të barabartë loje me BDI-në”, tha Hristijan Mickoski.

Në pritje të vendimit të nesërm të socialdemokratëve dhe reagimit nga kampi i BDI-së, sic njofton KlanM, në komunikatën nga Kabineti i Zv/Kryeministrit të Parë, Artan Grubi, për takimin me Zv/Ambasadorin amerikan në Shkup, Erik Mejer, thuhet se Artan Grubi ka theksuar se e ardhmja europiane e qytetarëve dhe e vendit është më e rëndësishme dhe se janë të gatshëm për çdo vendim që do të mundësonte miratim konsensual të ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshe, siç njofton KlanM, në marrëveshjen për koalicion LSDM-BDI në vitin 2020 të nënshkruar nga lideri i atëhershëm i socialdemokratëve, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, thuhet se në 100 ditët e fundit të Qeverisë, Kryeministri do të jetë shqiptar./KlanMacedonia