Rama: Pa kthimin e policëve s’ka shtensionim

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës, që po mbahen në Serbi. Ai e cilësoi mbajtjen e tyre në paraburgim si “mbajtje peng”. Ai tha se pa kthimin e policëve nuk ka asnjë hapësirë për planin e shtensionimit”.

Rama tha se ekziston rreziku i “një përplasje të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”, gjë që tha se është vetëm në interes të Rusisë.

“Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore (të Serbisë) për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës është tejet shqetësuese,” tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Edhe shefi i BE-së për politikë të jashtme Zhozef Borell pas takimit me Kurtin e Vuçiqin kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të tre policëve kosovarë.

“I kam thënë edhe presidentit Vuçiq se tre policët e Kosovës të mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Dhe mendoj se kemi identifikuar rrugët e mundshme përpara, të dyja palët duhet urgjentisht të përmbushin zotimet e tyre,” deklaroi Zhozef Borell, Shef i BE-së për Politikë të Jashtme.

Lidhur me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell ka thënë se nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës.

“…nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës, por kjo çështje duhet t’i lihet organeve të drejtësisë që të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme,” tha Zhozef Borell, Shef i BE-së për politikë të jashtme.

Ndërkohë policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar një serb të dyshuar për sulm ndaj forcave të KFOR-it në protestën e dhunshme të 29 majit në Zveçan.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh i hapur për zgjedhje të parakohshme por që ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore. Ndërsa, ritheksoi se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë.

“Për bindjen time të fuqishme deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve ilegale e kriminale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave. Ndërkaq, sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike,” u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidenti serb Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës. Ai ka thënë se kërkesat e ndërmjetësuesve nuk janë ultimatume. /alsat.mk