Maqedoni

Si do të jetë çmimi i energjisë elektrike, ja disa nga kalkulimet

Shpërndaje

Komisioni Rregullator i Energjisë (KRRE) ka bërë kalkulimet e para lidhur me çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.

Gjatë kësaj jave pritet që të shpallen zyrtarisht çmimet e reja.

Sipas njoftimeve të para, do të ketë ulje të çmimit për ata që harxhojnë më pak, ndërsa shtrenjtohet për ata që harxhojnë më shumë që kalojnë në bllokun e tretë tarifor.

Pra, çmimet do të jenë më të lira vetëm për dy blloqet e para tarifore, të cilat kanë një limit deri në 210 kilovat orë të konsumuara, dhe blloku i dytë deri në 630 kilovat orë, ndërsa do të kushtojë më shumë për dy blloqet e tjerë.

Çmimi në bllokun e parë nga 4.7257 denarë zbret në 4.2609 denarë, ndërsa në bllokun e dytë nga 5.1578 në 4.8936 denarë. Blloku i tretë nga 6.0563 rritet në 6.3345 denarë, ndërsa blloku i katërt nga 16.1336 në 16.6453 denarë.

Sipas KRRE, kjo bën që çmimi mesatar i EVN Home nga 1 korriku të jetë 4,3268 denarë për kilovat orë, që është disi më e lirë se mesatarja e llogaritur prej 4,4046 denarë e përcaktuar gjysmë viti më parë. Rritje të vogël do të ketë edhe për konsumatorët e vegjël, pra për kompanitë.

Sipas asaj që shihet nga llogaritjet tjera përkatëse, çmimi i tarifës së rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike rritet minimalisht, ndërsa kostoja e transmetimit të energjisë elektrike do të ulet ndjeshëm. Mbetet për t’u parë se si do të përfshihen të gjitha këto miratime në çmimin përfundimtar në fatura.

E qartë është se nuk do të ketë tarifë të lirë të pasdites, ndonëse një gjë e tillë ishte paralajmëruar më herët, dhe nga ana tjetër do të ketë rritje të TVSH-së për vetë faturat nga 10 në 18 për qind.

“Në dhjetor, kur morëm vendime, ulëm çmimet për familjet, ulëm çmimet për konsumatorët e vegjël. Këtu po flas pa TVSH. Do të ketë ulje të caktuar, por nuk mund të ndikojmë në ndryshimin e TVSH-së”, theksoi kryetari i KRRE, Marko Bislimovski dje në emisionin “Argument Plus” në TV24.