VMRO-DPMNE e ndërpret komunikimin me pushtetin / LSDM: Mickoski mund të vetëizolohet, por s’ka të drejtë ta izolojë shtetin

Shpërndaje

Për kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nuk ka më asgjë në tavolinën e bisedimeve mes opozitës dhe qeverisë për rrugëzgjidhje për ndryshimet kushtetuese. E vetmja gjë që ka mbetur, sipas tij, është që të ulen dhe të merren vesh rreth zgjedhjeve.

“Kur do të jenë zgjedhjet, si do të jenë zgjedhjet, me apo pa qeveri teknike…”, u shpreh Mickoski.

Kreu opozitar edhe njëherë përsëriti se më nuk do të flasë asgjë që lidhet me ndryshimet kushtetuese, por vetëm për zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë. Komunikimin me Qeverinë e kanë ndërprerë.

“Komunikim me pushtetin nuk kemi. Këtë javë kishim mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të partisë dhe njëzëri sollëm vendim se si VMRO-DPMNE i ndërpresim të gjitha komunikimet zyrtare, në nivel dypalësh, me përfaqësues të Qeverisë”, tha më tej ai.

Replikuan nga LSDM. Thonë se Mickoski ka të drejtë të vetëizolohet, por jo edhe shteti. Thonë se Mickoski kohëve të fundit diametralisht ka ndryshuar qëndrimet, andaj nuk duan ti kushtojnë shumë rëndësi.

“Është karakteristikë e një personi që shpesh ndryshon qëndrim dhe nuk ka asnjë sens themelor të shtetësisë. Në vend që të punojë në integrim, Hristijan Mickoski dëshiron të paraqitet si ekspert i izolimit dhe bllokimeve. Mickoski ka të drejtë të izolohet, por nuk ka të drejtë ta izolojë shtetin”, reaguan nga LSDM.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje paralajmëroi se për dy javë ndryshimet kushtetuese do të gjenden në Kuvend dhe se zgjedhje në vjeshtë nuk do të ketë, por ato do të mbahen vitin e ardhshëm.