Ahmeti përkujton heroin Bahri Fazliu në përvjetorin e tij të lindjes

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka përkujtuar sot heroin e kombit, Bahri Fazliun në ditën e tij të lindjes. Ahmeti shkruan se veprat e një atdhetari si Bahri Fazliu jetojnë gjithmonë, për tu kujtuar dhe bërë udhërrëfyes për atdhedashurinë.

Postimi i plotë:
Kujtojmë sot me krenari në përvjetorin e tij të lindjes, heroin e kombit Bahri Fazliun.

Vitet e jetës së tij në shërbim të kauzës kombëtare për lirinë e Kosovës janë udhërrëfyes frymëzues i atdhedashurisë.

Guximi dhe bindja për fitoren e së drejtës ishte tipari dallues i Bahriut, i cili bashkë me vëllain e tij Fahriun dhe shokun e idealit Afrim Zhitinë ishin flamurtarët e lirisë.

Rënia heroike e Fahriut dhe Afrimit i shkaktoi dhimbje, por nuk e demoralizoi. U betua para varreve të tyre se deri në frymën e fundit do të veprojë për jetësimin e amanetit të tyre.

Ra heroikisht më 7 maj të vitit 1998 për të lënë pas vetes gjurmët e heroizmit që përcillen brez pas brezi dhe libra të shkruara nga dora e tij si përshkrim realist i sagës së Kosovës.