Sveçla: Serbia ka arrestuar drejtorin e Administratës në Leposaviq dhe të fejuarën e tij

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se djali i zv/ministrit për Komunitete dhe Kthim është arrestuar në Serbi.

“Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë”.

Sveçla thotë se Radimiroviq bashkë me të fejuarën po mbahen të arrestuar vetëm për arsyen pse kanë pranuar të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës.

“Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre”.

Sveçla thotë se ky është gjest hakmarrje i Serbisë pse dje nuk arriti të ndalojë vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare.

“Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030”.

Ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të arrestuarve dhe ndalimin e presionit të mëtejmë për ata që janë lojal ndaj institucioneve të Kosovës.

“Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Sveçla.