Erdogan: Izraeli po sillet si organizatë, jo si shtet! Lufta duhet të ketë etikë

Shpërndaje

Izraeli po sillet si organizatë dhe jo si shtet, deklaroi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duke iu referuar sulmeve të pareshtura izraelitë ndaj që po e kthejnë Gazën në një gërmadhë të madhe.

Stacioni i vetëm elektrik i saj do të mbetet sot pa karburant njoftoi Autoriteti Palestinez i Energjisë. Që kur nisi rrethimin e territorit në fillim të javës, shteti hebre ka ndërprerë furnizimin me energji, karburant, ujë e ushqime.

Njerëzit në Gaza po kërkojnë strehim nëpër shkolla e spitale mes bombardimeve që nuk i lënë rrugë shpëtimi. Në mesin e mbi 1000 të vrarëve, ka edhe gra e fëmijë.

“Izraeli nuk duhet të harrojë se, nëse sillet si një organizatë dhe jo si një shtet, do të përfundojnë duke u trajtuar si e tillë. Janë metoda të turpshme ato që po përdor ushtria izraelite në Gazën e mbipopulluar. Bombardimi i zonave civile, vrasja e banorëve, bllokimi i ndihmave humanitare dhe përpjekja për t’i paraqitur këto si arritje, janë veprime të një organizate dhe jo të një shteti”, tha Erdogan.

Kreu i shtetit turk zakonisht përdor fjalën “organizatë” kur flet për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila cilësohet si grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

“Ne mendojmë se lufta duhet të ketë etikë dhe të dy palët duhet ta respektojnë këtë. Fatkeqësisht, këto parime po shkelen rëndë në Izrael dhe në Gaza”, shtoi Erdogan, duke e dënuar “vrasjen e civilëve në territorin izraelit” dhe “masakrimin e njerëzve të pafajshëm në Gaza, të cilët përballen me bombardime të vazhdueshme”.

Forcat izraelite njoftuan sot se e kanë rindërtuar barrierën përreth Gazës dhe kanë dërguar trupa këmbësorie, artileri e mbi 300.000 rezervistë në afërsi të kufirit me të.

Top Channel