Gërvalla: Dokument i ri e respekton Kushtetutën

Shpërndaje

Këtë javë në Bruksel, pas takimit me udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe presidentët e kryeministrat e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shprehu gadishmërinë të nënshkruajë projektin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që akuzoi Presidentin serb për mosgatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e njohur si plani franko-gjerman.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwartz tha se marrëveshja duhet të zbatohet e gjitha.

“Po tani në fakt kryeministri çfarë i ka ofruar dje kancelarit gjerman, presidentit francez, kryeministres italiane dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë është që më në fund të implementohet përfundimisht Marrëveshja bazike që kemi lidhur me Serbinë në Bruksel në shkurt të këtij viti dhe planin e implementimit të marsit, i cili parasheh në pikën 7 dhe 10 edhe një pjesë që lidhet me vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka parë një draft të ri, i cili ka ardhur nga Bashkimi Evropian, i cili i respekton shqetësimet që i kemi shprehur gjatë dy viteve rreth substancës së atij mekanizmi dhe kryeministri Kurti i ka treguar partnerëve ndërkombëtarë që nëse ata do të mund të sigurojnë nënshkrimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve që kemi lidhur atëherë Kosova nuk do të bëhet pengesë në implementimin e tyre”, ka thënë ajo.

“Ai asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë”, ka thënë ajo.