RajoniTop Lajme

Sot afati i fundit/ Vijon seanca plenare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës

Shpërndaje

Kuvendi i Kosovës zhvilloi dje një seancë plenare të rëndësishme kushtuar procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për finalizimin e këtij procesi.

Seanca u karakterizua nga mungesa e opozitës, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan diskutimin, duke thelluar më tej ngërçin politik.

E marta shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast se procesi dështon, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re politike, me gjasë duke çuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Seanca plenare pritet të vijojë edhe sot në orën 10:00, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime konkrete drejt zgjidhjes së situatës.

Krejt çka ndodhi mbrëmë në seancën e vonshme për presidentin

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të hënën mbrëma, u karakterizua nga mungesa e opozitës, tensione politike dhe dilema rreth procedurave kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Deputetët e shumicës parlamentare proceduan me votimin për dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, ku Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk siguroi asnjë votë, me një fletëvotim të pavlefshëm.

Seanca u zhvillua pa pjesëmarrjen e partive opozitare, të cilat e bojkotuan procesin duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje të vazhdueshme deputetëve opozitarë që t’i bashkoheshin seancës, duke theksuar se disa prej tyre ndodheshin brenda objektit të Kuvendit. Ajo njoftoi se seanca do të vazhdojë të martën në mëngjes, që njëherësh është edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

Kjo seancë u parapri nga një tjetër takim në orën 17:00, i thirrur për diskutime rreth procesit të zgjedhjes së presidentit, ku u tërhoqën nga gara Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Edhe kjo mbledhje u bojkotua nga opozita.

Kryeministri Albin Kurti akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të procesit dhe për mosrespektim të verdiktit të qytetarëve, duke theksuar se janë bërë përpjekje për kompromis, përfshirë oferta për poste dhe propozime për kandidatë konsensualë. Ai hodhi poshtë pretendimet se pushteti synon të mbajë tri pozitat kryesore shtetërore, duke insistuar se bashkëpunimi me opozitën ka qenë i kërkuar vazhdimisht.

Në anën tjetër, opozita reagoi ashpër duke e konsideruar zhvillimin e seancës pa kuorumin e nevojshëm si shkelje të rëndë kushtetuese. Përfaqësues të saj e cilësuan situatën si “tentim grushtshteti” dhe “puç kushtetues”, duke insistuar se pa praninë e dy të tretave të deputetëve nuk mund të zhvillohet asnjë rund i vlefshëm votimi. Ata kritikuan edhe mënyrën e thirrjes së seancës, duke e cilësuar si joserioze dhe të papërgjegjshme.

Kritika të ngjashme erdhën edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili paralajmëroi se çdo përpjekje për të anashkaluar kuorumin cenon rendin kushtetues dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e demokracisë parlamentare.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se posedon nënshkrimet e nevojshme për të propozuar kandidat të sajin, duke kërkuar një marrëveshje të mirëfilltë politike dhe duke paralajmëruar veprime të mëtejshme nëse procedurat vazhdojnë në këtë formë.