Komisioni anketues për Klinikën e Onkologjisë: Ish-ministrat Filipçe dhe Sali të parët që merren në pyetje

Shpërndaje

Komisioni hetimor për skandalin me Klinikën e Onkologjisë mbajti seancën e parë në të cilën, duke përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve, deputetët do të shqyrtojnë nëse ka përgjegjësi politike në këtë rast dhe nëse të drejtat elementare njerëzore të pacientëve të trajtuar kanë qenë cenuar. Të parët që janë marrë në pyetje janë ish-ministrat e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Bekim Sali. Deputetja Rashela Mizrahi nga VMRO-DPMNE, që është kryetare e Komisionit tha se pret që të ketë përfundime për të vërtetën, nëse ka apo jo përgjegjësi dhe nëse ka, e kujt është.

“Nuk do të lejoj që ky Komisioni Hetimor të kthehet në një organ paragjyqësor. Ne jemi deputetë dhe politikanë që sipas vendimit do të kërkojmë përgjegjësi politike duke vepruar apo jo për të ashtuquajturin skandal në Onkologji, që në thelb të gjithë e dimë se është një tragjedi. Unë sinqerisht shpresoj dhe besoj se ky do të jetë Komisioni i parë Hetimor i cili sapo të kryejë detyrën e vendosur me vendim do të konstatojë dhe do të propozojë zgjidhje”, theksoi Rashela Mizrahi, kryetare e Komisionit Anketues për Onkologji.

Deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq, thotë se grupi i tyre parlamentar qëndron plotësisht kundër keqpërdorimit të terapisë biologjike dhe kërkon që të thuhet qartë me emër dhe mbiemër se kush është përgjegjës për këtë rast.

“Puna jonë duhet t’u dërgojë edhe njerëzve në të ardhmen një mesazh se nuk duhet të lejojnë që në asnjë mënyrë të keqpërdoret pozita e tyre, duke shkelur ligjin dhe aq më keq duke dëmtuar shëndetin apo jetën e bashkëqytetarëve tanë. Kushdo që ka shpërdoruar detyrën apo pozitën, pavarësisht se si quhet apo nga cila parti politike vjen, duhet të jetë target”, pohoi Nenad Kociq, LSDM.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Arben Zyberi nga BDI. Edhe pse, siç thotë ai, komisioni nuk është organ gjyqësor që do të gjykojë, për këtë rast do të kërkohet përgjegjësi politike, por gjithashtu kërkoi që diskutimi në këtë komision të mos përdoret për marketing politik.

“Të mos shikojmë çdo parti politike që merr pikë politike se ka të bëjë me shëndetin e njerëzve, ka të bëjë me një problem shëndetësor. Do të ishte më e përshtatshme dhe më e mira nëse të gjithë kontribuojmë në gjetjen e fajtorëve, nëse ka të tillë, për abuzimet e supozuara që tashmë janë bërë publike”, tha Arben Zyberi, BDI.

Në skandalin me Klinikën e Onkologjisë, u zbulua se terapia citostatike për pacientët me kancer ishte vjedhur dhe rishitur në mënyrë të paligjshme. Pas kësaj, opinioni u ngrit në këmbë dhe tashmë disa herë qytetarët zhvilluan protesta masive para Qeverisë me kërkesë për përgjegjësi./TV21