Rindërtimi në Krujë, kryeministri Edi Rama inspekton punimet

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama sëbashku me numrin dy të qeverisë Belinda Balluku, panë ecurinë e rindërtimit në Krujë ku janë drejt përfundimit 22 godina të tjera në të cilat pritet të banojnë 336 familje të prekura nga tërmeti.

“Jemi duke ecur mirë, kemi bërë një ri koordinim me të gjitha bashkitë përveç bashkisë së Shijakut e cila tashmë e ka mbyllur procesin. Pretendojmë që brenda dhjetorit të mbyllim Rrogozhinën, Kavajën dhe Vorën dhe sigurisht Durrësi e Lezha janë ato të cilat duhen parë dhe duhet vazhduar. E kemi shtuar financimin për vitin 2023 me 12 miliardë të tjerë duke e çuar kështu financimin e programit të Rindërtimit në 17 miliardë për vitin 2023 dhe besojmë që në këto momente të gjitha kantieret janë të financuara dhe të gjitha bashkitë do kenë mundësi të avancojnë. Deri tani kemi rreth 3500 apartamente të cilat shumica janë dorëzuar, një pjesë e tyre do të dorëzohen deri në fund të vitit dhe mbi 2200 ndërtesa individuale, që e çojnë në total 6000 numrin e njësive të banimit, rreth 6000 familje deri tani”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Kryeministri Edi Rama foli për vështirësitë e herëpashershme të shfaqura në procesin e rindërtimit.

“Vonesa këtu ishte e lidhur me gjithë historinë e pronës që na mori aq shumë kohë. Edhe në vende të tjera na ka marrë kohë po këtu ishte problemi i madh, por tani duket se jemi në rregull”.

Në Krujë është drejt përfundimit edhe procesi i përforcimi të 43 pallateve ekzistuese si dhe veshja me sistemin kapot.