Xhaferi: Deri në fund të vitit ka hapësirë për ndryshime të datës së zgjedhjeve

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka deklaruar se është i gatshëm të fton takim liderësh vetëm nëse krerët e partive politike janë të gatshëm për një takim në të cilin do të diskutohet për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

“Mendoj se është më e përshtatshme të pyesim liderët e partive politike nëse do t’i përgjigjeshin një ftese të mundshme dhe nga kjo varet e gjithë procedura e mëtutjeshme. Do të ishte më e përshtatshme që fillimisht të kishim informacion për vullnetin e liderëve për të ardhur në Kuvend”, ka deklaruar Xhaferi.

Xhaferi ka deklaruar se për datat e zgjedhjeve duhet referuar në ligj dhe Kushtetutë, por sipas tij ka hapësirë për ndryshim deri në fund të vitit.

Takimin e liderëve me arsyetimin që vendi të mos futet në krizë kushtetuese mes zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare javën e kaluar e kërkoi kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski tha se është i gatshëm të takohet vetëm nëse OBRM-PDUKM-ja pranon parakushtet për ndryshimet kushtetuese./Telegrafi/