I jepet lamtumira e fundit afaristit Lulzim Kryeziu

Shpërndaje

Pasditen e së premtes i është dhënë lamtumira e fundit afaristit Lulzim Kryeziu.

Varrimi i të ndjerit është bërë në varrezat e fshatit Bubavec të Malishevës.

Kryeziu është gjetur i vdekur të enjten në fshatin Mleqan të Malishevës, në objektin e biznesit familjar. I njëjti dyshohet se ka bërë vetëvrasje.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook.

“Me dhimbje e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë z. Lulzim Kryeziu. Ai nuk reshti asnjëherë së punuari për ekonominë në Kosovë”, thuhet në postimin e tyre.

Tutje thuhet se kontributi i tij dhe familjes Kryeziu për Odën Ekonomike të Kosovës dhe ekonominë në vend do të kujtohet me shumë respekt ndër gjenerata.

“Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjejmë me familjen Kryeziu! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë!”, bëhet e ditur në postim.

Ndryshe, Prokuroria rajonale e Gjakovës ka bërë të ditur se janë duke e hetuar këtë rast që u cilësua si vetëvrasje.