Përurimi i Linjës së 10 hekurudhore, Kurti: Do ta vazhdojmë deri në kufirin verior të Kosovës

Shpërndaje

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe disa kolegë të tij ministra kanë bërë inaugurimin e rihapjes së tuneleve T6 dhe T7, njëri me gjatësi 262 dhe tjetri 122 metra, si pjesë e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

Duke e cilësuar këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, tha se kjo linjë hekurudhore do të vazhdohet deri në Mitrovicë e më pas deri në kufirin verior të Kosovës.

“Sot po e shënojmë një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës. Po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë-Kosovën. Po rihapim në veçanti dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — që kanë qenë të shembur tërësisht.

Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10, nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë-Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur, nga Fushë-Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë:

Rehabilitimi i Linjës 10 të Hekurudhës parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara. Sot përuruam dy tunele — njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me gjatësi 122 metra — të cilët ishin të shembur tërësisht.

Me Linjën 10 edhe me hekurudhën Prishtinë-Durrës, po e bëjmë Kosovën pjesë të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian. Lidhjet infrastrukturore po i forcojmë, zgjerojmë dhe modernizojmë. Me forcim, rriten shkëmbimet. Me zgjerim, rritet ndërlidhja, ndërkaq me modernizim, rritet shpejtësia.

Këtu treni dikur mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë sesa 60 kilometra në orë. Me hekurudhën e re ai do të mund të udhëtojë me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë. Ashtu siç po e shpejtojmë trenin, urojmë e besojmë që ky projekt do të shpejtojë rritjen dhe zhvillimin e Republikës.