Rritet në 11.078 numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gaza

Shpërndaje

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 11.078, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar, raporton Anadolu.

“Në mesin e viktimave gjenden 4.506 fëmijë, 3.027 gra dhe 678 të moshuar, ndërsa 27.490 njerëz janë plagosur”, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë shtypi në qytetin e Gazës.

Ai tha se 2.700 njerëz, përfshirë 1.500 fëmijë, raportohen gjithashtu të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të rrafshuara nga sulmet izraelite.

“Agresioni izraelit ka lënë 198 mjekë të vdekur dhe 53 ambulanca të shkatërruara”, shtoi zëdhënësi.

“Izraeli shënjestroi 135 institucione shëndetësore dhe çoi jashtë shërbimit 21 spitale dhe 47 qendra shëndetësore të kujdesit parësor”, tha ai.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga operacioni ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.