Vuçiq: Asociacioni s’formohet sa të jetë Kurti në pushtet

Shpërndaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk ka pasur nismë për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.

Vuçiq është shprehur se derisa Kurti të jetë kryeministër i Kosovës nuk pret të ketë ndonjë progres në procesin e dialogut, raportoi Danas.

“Mendoj se e kanë të qartë ata në perëndim që Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin e komunave serbe, se ai nuk dëshiron përparim në dialog dhe se gjithçka tjetër ishin marifete ballkanike që mund të funksionojnë një ose dy herë, por sigurisht jo në planin afatgjatë. Pra, do të jetë e rëndësishme për ne që të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë për të ruajtur paqen, por nuk besoj se Asociacioni do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti e ka cilësuar “pakrahasimisht më të avancuar” draftin për Asociacionin të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa marrëveshjet e mëhershme. Megjithatë, ka shtuar se kjo s’do të thotë që Kosova është e kënaqur me përmbajtjen e draftit. Kurti ka përsëritur se ka ofruar nënshkrimin vetëm në kuadër të pakos dhe jo si dokumente të ndara.

“Kemi thënë që pranojmë ta nënshkruajmë paketën ku bën pjesë Marrëveshja bazë, Aneksi i Zbatimit, dhe gjithashtu edhe draftin për të cilin paraprakisht kemi dërguar vërejtjet, por meqenëse në Bruksel na u tha se është urgjente normalizimi i marrëdhënieve, unë pranova ta nënshkruar me ç’rast nënshkrimi është pranimi, mirëpo vetëm si pjesë të paketës”, ka thënë Kurti duke shtuar se në të ka kërkuar që Kosova ta fitojë statusin e vendit kandidat për BE dhe të nisë rrugën e pranimit në NATO.

Në fund të tetorit, Kurti dhe Vuçiq takuan liderët evropianë. Kurti u shpreh se ishte i gatshëm t’i nënshkruante dokumentet në pako, duke akuzuar Serbinë se ka refuzuar nënshkrimin. Liderët evropianë pas takimeve kanë bërë publike kërkesën që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e që Serbia ta jetësojë njohjen de-facto. Disa ditë para takimit, përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në Kosovë sollën draftin për Asociacionin.