Kurti: Nuk e tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së tha se “Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Kurti tha se “kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës”.

“Menduam se me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot. Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit. Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve. Sot në botë jemi dëshmitarë që është rikthyer politika fashiste, herë e drejtpërdrejtë, herë e maskuar. Politikë e sponsoruar nga Moska, nga Kremlini, nga Putini. Pikërisht sot, është rikthyer në plan të parë rëndësia e të qenit antifashistë. Kundër diskriminimeve me bazë gjinore, racore, etnike, fetare, kundër çdo lloj diskriminimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia e vetme parlamentare e cila përqafon një politikë progresiste, socialdemokrate, aktiviste kundër diskriminimeve, aktive për shtet zhvillimor. Po e kryej këtë fjalim me këto fjali: është sot me rëndësi strategjike të mendojmë në mënyrë afatgjate për organizatën tonë. Jo sot për nesër, as për javën, muajin apo vitin e ardhshëm, por për një qëndrueshmëri edhe dhjetë, apo njëzet vjeçare. Ndryshimet e vërteta, kërkojnë qëndrueshmëri. Qëndrueshmërinë do të na e japë vetëm organizata”, tha Kurti.

Live update

Kurti flet për rezultatin e VV-së në zgjedhjet e fundit lokale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së tha se rezultati i zgjedhjeve të kaluara nuk ka qenë i mirë.

“Ka pasur edhe momente jo fort të mira, siç ka qenë psh. performanca në zgjedhjet lokale sa i përket komunave që udhëheqim, meqenëse ne i fituam për kryetarë vetëm katër sosh. Gjilanin me Alban Hysenin, Besianën (Podujevën) me Shpejtim Bulliqin, Shtimen me Qemajl Aliun dhe Kamenicën me Kadri Rrahimajn. Për këto ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e KP, në mbledhjet me qendrat e Lëvizjes sonë, në kryesi të Vetëvendosjes kemi bërë vetëkritikë e kritikë, dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemeve”, tha Kurti.

Kurti tha së kanë punuar “pikërisht duke patur ndërmend forcimin e organizatës dhe rritjen e pjesëmarrjes demokratike”.

“Kemi punuar për themelimin dhe funksionalizimin e dy organizatave të reja që tash e tutje do të funksionojnë brenda LVV. Ato janë Gratë për Vetëvendosje!, me në krye Albulena Haxhiun, dhe Rinia për Vetëvendosje në krye Behar Jasharin. Jo për të krijuar ndonjë hapësirë të veçantë për gratë e për të rinjtë ndaras prej Lëvizjes, por vetëm si çelës që ata të jenë prezentë gjithnjë e më shumë në të gjitha nivelet dhe strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje!. Sepse sot, meqë ra fjala, ende nuk kemi një numër të mjaftueshëm grash e të rinjsh edhe në këtë Këshill të Përgjithshëm. Kjo gjë megjithatë do të rregullohet shpejt, pikërisht si rezultat i punës së GVV dhe RVV”, tha Kurti.

Live update

Kurti: Qeveria Kurti 1 nuk zgjati shumë sepse qëlloi partneri jo i qëndrueshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje tha se Qeveria Kurti 1 nuk zgjati, sipas tij për shkak të interesave jo të njëjta me LDK-në.

“Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët në zgjedhje, dhe në shkurt të vitit 2020 e krijuam qeverinë e parë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria Kurti 1 siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë. Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare. Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin i cili e donte Republikën më shumë se çkado tjetër”, tha Kurti./21Media

Live update

Kurti: UÇK-ja ishte dhe është e drejtë, do të dalë e pastër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka thënë se Qeveria Kurti 1 nuk zgjati shumë, pasi, sipas tij, u qëlloi një partner jo i qëndrueshëm për interesat shtetërore e kombëtare.

“Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtatore edhe kombëtare. Ka pasur edhe momente jo fort të mira, si performanca në zgjedhje lokale në komunat që udhëheqim, pasi i fituam vetëm katër prej tyre. Për këto kemi diskutuar gjatë nëpër mbledhje, kemi bërë vetëkritikë dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemit”, tha Kurti.

Kurti, në mbledhjen e 49-të të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së tha se UÇK ishte dhe është e drejtë.

“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në Kuvendin e Repulikës, gjenerali i UÇK-së, që e kishim anëtar kryesie, e kishim edhe kryetar të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të cilin kemi shumë krenari dhe mall, se çmallemi kur kontaktojmë me të. Por jam i sigurt se shpejt do ta kemi sërish, teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që i janë bërë atij dhe të tjerëve. UÇK-ja ishte dhe është e drejtë dhe do të dalë e pastër, edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, tha Kurti.